Maresca pranon problemet te City: Po pësojmë gola naivë
Enzo Maresca of Manchester City during a training session at the Manchester City Football Academy on 12 August 2026 in Manchester, England (Photo by Isaac Parkin / Manchester City FC)
Manchester City po kalon një periudhë të vështirë pas një starti perfekt të sezonit, në të cilin regjistroi shtatë fitore radhazi. Skuadra e drejtuar nga Enzo Maresca ka pësuar dy humbje radhazi, diçka që nuk i kishte ndodhur që nga gushti i vitit 2025, ndërsa gabimet në lojë kanë shtuar shqetësimet.
Trajneri italian nuk e ka fshehur pakënaqësinë për gabimet e skuadrës, por ka theksuar se futbollistët duhet të analizojnë atë që nuk ka funksionuar dhe të nxjerrin mësime për ndeshjet e ardhshme.
“Është diçka që ndodh në futboll. Fatkeqësisht, po u ndodh lojtarëve tanë. Duhet ta analizojmë situatën, të nxjerrim mësime dhe të përpiqemi të ecim përpara”, u shpreh Maresca.
Shqetësim për Cityn mbetet edhe konkretizimi i rasteve të krijuara. Në dy ndeshjet e fundit, kampionët kanë shpërdoruar nëntë mundësi të pastra shënimi. Megjithatë, Maresca ka vënë në pah se skuadra vazhdon të jetë ndër më efikaset në Premier League, duke e cilësuar mbrojtjen si problemin kryesor.
“Jemi skuadra e dytë më efikase në shënimin e golave në Premier League. Po pësojmë gola naivë dhe këtë mund ta shmangim”, deklaroi ai.
Humbja e fundit solli edhe një statistikë negative për Cityn, pasi për herë të parë pas 23 ndeshjesh kampionale në shtëpi, skuadra nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. Kjo ndodhi edhe përkundër rikthimit të Erling Haalandit në formacionin titullar.
Tashmë, Maresca kërkon reagim nga futbollistët e tij në sfidën e radhës në Ligën e Kampionëve ndaj Leipzigut, ndërsa ka paralajmëruar se mungesa e saktësisë para portës mund të shndërrohet në problem serioz nëse vazhdon.
