Ronaldo drejt historisë: I duhen edhe 22 gola për “njëmijëshin”
Screenshot
Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë e futbollit në mënyrën e tij. Ylli portugez shënoi golin e përmbysjes në fitoren e Al Nassr ndaj Al Taawoun dhe arriti në shifrën e jashtëzakonshme prej 978 golash në karrierën profesionale.
Al Taawoun kaloi i pari në epërsi përmes Bassam Mohammed Al-Hureiji në minutën e 11-të, por Al Nassr arriti të barazojë para përfundimit të pjesës së parë.
Në fillim të pjesës së dytë erdhi momenti i Ronaldos. Në minutën e 50-të, portugezi u gjend në vendin e duhur dhe realizoi për përmbysjen dhe epërsinë 2:1.
Ky ishte goli i 978-të në karrierën e Ronaldos, i cili po i afrohet gjithnjë e më shumë shifrës magjike prej 1.000 golash.
Tashmë, legjendës portugeze i duhen vetëm 22 gola për të arritur një shifër historike që deri më tani nuk e ka prekur askush në futboll.
Me fitoren 2:1, Al Nassr vazhdoi me pikët maksimale dhe mbeti në krye të tabelës së kampionatit saudit.
