Trump mbron Infantinon: Zëvendësimi i tij në krye të FIFA-s do të ishte “gabim kolosal”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka dalë në mbrojtje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, pas kritikave dhe akuzave të fundit ndaj kreut të organizatës më të madhe të futbollit në botë.
Infantino është përballur me akuza se ka tentuar t’ua shesë privatëve një pjesë të të drejtave të Kupës së Botës, ndërsa Trump ka reaguar publikisht duke e cilësuar çdo përpjekje për zëvendësimin e tij si një gabim të madh.
Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, Trump shkroi:
“FIFA do të bënte një gabim kolosal nëse, për çfarëdo arsyeje, do të merrte qoftë edhe në konsideratë idenë për ta zëvendësuar presidentin Gianni Infantino”.
Trump e ka vlerësuar lart punën e Infantinos, duke e përshkruar atë si një figurë të jashtëzakonshme dhe duke pretenduar se nën drejtimin e tij është organizuar Botërori më i suksesshëm deri më tani.
“Ai është një figurë e jashtëzakonshme, që sapo ka drejtuar Botërorin më të suksesshëm të të gjitha kohërave, me rezultate katër herë më të larta se ato të edicioneve të mëparshme”, ka shkruar Trump.
Sipas presidentit amerikan, largimi i Infantinos do të ndikonte drejtpërdrejt në suksesin dhe përfitimet e turneut.
“Nëse ai do të largohej, eventi nuk do të kishte kurrë më të njëjtin sukses dhe as të njëjtin përfitim”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, vëmendje kanë tërhequr edhe pamjet e fundit ku Trump dhe Infantino shfaqen së bashku. Gjatë festimit të Spanjës, presidenti amerikan shihet duke qëndruar në skenë, ndërsa Infantino përpiqet me elegancë ta largojë nga ajo hapësirë.
Mbështetja publike e Trumpit vjen në një moment kur Infantino po përballet me kritika lidhur me mënyrën e menaxhimit të disa prej çështjeve komerciale dhe të drejtave të FIFA-s.
