FFK nis hartimin e Strategjisë së re të zhvillimit, pas realizimit të objektivave strategjike në kohë rekord
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur zyrtarisht procesin e hartimit të Strategjisë së re të zhvillimit, e cila do të përcaktojë drejtimin strategjik të futbollit kosovar nga viti 2027 e tutje.
Në kuadër të këtij procesi, siç njofton shtëpia e futbollit, në Kosovë qëndruan për vizitë ekspertët e UEFA-s, Oleksandr Kucheriavyi, Menaxher për Zhvillim Strategjik në Divizionin e Federatave Kombëtare dhe Ilija Kitić, Shef i Njësisë për Zhvillim Strategjik të Federatave Kombëtare.
Ata zhvilluan takime pune me presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe me koordinatoren për zhvillim të projekteve në FFK, Doruntinë Fetahaj, duke nisur procesin e definimit të objektivave dhe prioriteteve të reja strategjike.
Ky proces vjen si rezultat i suksesit të jashtëzakonshëm të Strategjisë “Themelet e së ardhmes” (2024–2028), e cila, ndonëse ishte planifikuar për një periudhë katërvjeçare, është zbatuar me sukses në pothuajse të gjitha pikat e saj brenda vetëm dy viteve.
Gjatë takimeve, ekspertët e UEFA-s shprehën vlerësimin dhe mirënjohjen e tyre për punën e bërë nga Federata e Futbollit e Kosovës, duke theksuar se përmbushja e pothuajse të gjitha objektivave strategjike në një afat kaq të shkurtër përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme. Sipas tyre, ky rezultat është dëshmi e vizionit të qartë, planifikimit strategjik dhe përkushtimit të vazhdueshëm të FFK-së në zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet.
Falë këtij progresi, FFK tashmë ka krijuar bazën për një cikël të ri zhvillimor. Në bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n, nga sot ka nisur puna për hartimin e strategjisë së re, e cila pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit 2027 dhe do të përfshijë objektiva edhe më ambicioze për zhvillimin e futbollit në Kosovë, në përputhje me standardet më të larta evropiane.
Përmbushja e objektivave para afatit është dëshmi e qartë se me vizion, përkushtim dhe punë të vazhdueshme ndërtohen themelet e së ardhmes së futbollit të Kosovës.
Strategjia e re do të ndërtohet mbi arritjet e deritanishme, duke vendosur objektiva të reja strategjike që do të mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm, rritje të standardeve dhe forcimin e mëtejshëm të pozitës së futbollit të Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare, në fushë dhe jashtë saj.
