Kanadaja shkruan histori, kalon në 1/8 e finales së Kupës së Botës me gol në minutën e 92-të
Kanadaja ka shkruar histori në Kupën e Botës, duke arritur fitoren e parë në një ndeshje të fazës nokaut, pas triumfit 1:0 ndaj Afrikës së Jugut.
Heroi i kanadezëve ishte Stephen Eustáquio, i cili realizoi në minutën e dytë të kohës shtesë, në një moment kur ndeshja dukej se po shkonte drejt vazhdimeve.
Mesfushori kanadez shënoi një gol spektakolar me volej nga jashtë zonës, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës së Ronwen Williams dhe duke ndezur festën e madhe të Kanadasë.
Ndeshja e zhvilluar në SoFi Stadium në Inglewood të Kalifornisë ishte e tensionuar deri në fund, me të dyja skuadrat që kërkuan me kujdes momentin vendimtar. Afrika e Jugut rezistoi gjatë, por u ndëshkua në minutat shtesë nga një goditje e jashtëzakonshme e Eustáquio-s.
Kanadaja, bashkëorganizatore e Kupës së Botës, arriti ta ruajë epërsinë në minutat e fundit falë një paraqitjeje të fortë në mbrojtje, duke siguruar kështu kalimin historik në raundin tjetër.
Pas këtij triumfi, Kanadaja do të përballet në Houston, të shtunën më 4 korrik, me fituesin e duelit mes Holandës dhe Marokut.
Për kanadezët, kjo fitore ka peshë të veçantë, pasi përfaqëson suksesin më të madh në historinë e tyre në një Kupë Bote.
