Vinícius udhëheq Brazilin drejt kreut të grupit, Neymar rikthehet në fushë

Brazili ka konfirmuar statusin e favoritit në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Skocinë me rezultat të pastër 3:0 dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin C.

Njeriu i ndeshjes ishte Vinícius Júnior, i cili realizoi dy herë në pjesën e parë dhe vazhdoi formën e shkëlqyer në këtë Botëror. Sulmuesi brazilian zhbllokoi rezultatin që në minutën e shtatë, duke përfituar nga një gabim i mbrojtjes skoceze, ndërsa pak para pushimit shënoi edhe golin e dytë me kokë.

Në pjesën e dytë, Matheus Cunha vulosi fitoren e “Seleçaos”, që e mbylli fazën e grupeve pa humbje dhe me dy fitore radhazi pas barazimit ndaj Marokut në ndeshjen hapëse.

Për Viníciusin ky ishte goli i katërt në këtë Kampionat Botëror, duke u ngjitur mes golashënuesve më të mirë të turneut.

Lajm i mirë për përfaqësuesen braziliane ishte edhe rikthimi i Neymarit. Sulmuesi veteran u aktivizua në minutën e 76-të, duke zhvilluar minutat e para në këtë Botëror pas dëmtimit që e kishte lënë jashtë në dy ndeshjet e para.

Ndërkohë, Skocia nuk arriti të shmangë eliminimin dhe e mbylli pjesëmarrjen në fazën e grupeve, pavarësisht mbështetjes së madhe të tifozëve të saj në SHBA.

Brazili kalon në fazën e eliminimit direkt si fitues i Grupit C, ndërsa nga ky grup kualifikimin e siguroi edhe Maroku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *