June 14, 2026

Skocia rikthehet me fitore në Botëror pas 28 vjetësh, mposht Haitin

Skocia e ka nisur në mënyrën më të mirë rikthimin e saj në Kupën e Botës, duke e mposhtur Haitin me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e Grupit C.

Golin e vetëm të takimit e realizoi John McGinn në minutën e 28-të, duke i dhuruar Skocisë fitoren e parë në një Kampionat Botëror që nga viti 1990.

Skocia po merr pjesë në Botëror për herë të parë që nga viti 1998, ndërsa tri pikët e fituara ndaj Haitit e kanë vendosur përkohësisht në krye të grupit.

“Kur topi përfundoi në rrjetë, mund ta ndjeje reagimin e tifozëve skocezë”, deklaroi McGinn pas ndeshjes.

Goli erdhi pas një aksioni brenda zonës së Haitit. Goditja e Che Adamsit u ndal nga portieri Johny Placide, ndërsa topi mbeti i lirë për McGinnin, goditja e të cilit u devijua nga një mbrojtës dhe përfundoi në rrjetë.

Skocia ishte pranë golit edhe në minutën e 17-të, kur kapiteni Scott McTominay u lirua nga mbulimi dhe goditi fuqishëm, por topi preku pjesën e sipërme të shtyllës.

Në pjesën e dytë, Haiti e rriti presionin dhe krijoi disa mundësi të mira për barazim. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 74-t, kur Ruben Providence dërgoi një harkim të rrezikshëm drejt Wilson Isidorit, por sulmuesi nuk arriti ta devijonte topin drejt portës.

“Po luajmë në një nivel jashtëzakonisht të lartë, por në këtë nivel mund të ndëshkohesh edhe nga një gabim i vetëm”, deklaroi përzgjedhësi i Haitit, Sébastien Migné.

Përfaqësuesja e Haitit, e cila pjesëmarrjen e vetme të mëparshme në Kupën e Botës e kishte në vitin 1974, vazhdon ta kërkojë pikën e parë në historinë e saj në këtë garë.

Në anën tjetër, mesfushori skocez Lewis Ferguson u shpreh i kënaqur me rezultatin.

“Erdhëm këtu për t’i marrë tri pikët. E realizuam objektivin dhe tani vazhdojmë tutje”, tha Ferguson.

Përzgjedhësi Steve Clarke vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar rëndësinë e fitores pas mungesës së gjatë në skenën botërore.

“Lojtarët e merituan të jenë skuadra që më në fund e regjistroi këtë fitore në Kupën e Botës”, deklaroi Clarke.

Ndeshja u zhvillua në “Gillette Stadium”, ku tifozët e njohur si “Tartan Army” krijuan atmosferë të jashtëzakonshme dhe mbushën tribunat me ngjyrat skoceze.

Pas barazimit 1:1 ndërmjet Brazilit dhe Marokut, Skocia kryeson Grupin C me tri pikë, ndërsa Brazili dhe Maroku kanë nga një pikë. Haiti mbetet pa pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *