June 2026
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  
June 11, 2026

Letër e hapur nga Ramadan Cimili

Si pjesëtar i gjeneratës së artë të Prishtinës, një gjenerate që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Kosovës, ndiej obligim moral të shpreh mirënjohjen time për ata që kanë treguar respekt dhe kujdes ndaj ish-sportistëve.

Dua ta falënderoj kryetarin Agim Ademi dhe Federatën e Futbollit të Kosovës për mbështetjen që i kanë dhënë futbollistëve të gjeneratës sonë. Përmes mundësive të punësimit, angazhimeve të ndryshme dhe përfshirjes në jetën e futbollit, Federata ka dëshmuar se nuk i harron ata që kanë kontribuar në ndërtimin e themeleve të futbollit kosovar.

Për fat të keq, gjenerata e artë e Prishtinës, që njëherazi ishte edhe gjeneratë e sakrificës, nuk ka gëzuar kujdesin institucional që meriton. Ata që në kohët më të vështira mbrojtën dinjitetin e sportit dhe të vendit tonë, sot ende presin vlerësimin dhe trajtimin e merituar nga shteti. Shumë prej bashkëlojtarëve tanë, të cilët i sollën lavdi futbollit kosovar, nuk kanë përfituar as statusin e as mbështetjen që do të duhej t’u takonte.

Prandaj, vlerësoj lart shembullin e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të kryetarit Agim Ademi, të cilët kanë treguar në praktikë se respekti ndaj ish-sportistëve nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë. Për shumë futbollistë të gjeneratës sonë, Federata ka qenë institucioni i vetëm që ka hapur dyer dhe ka ofruar mundësi konkrete për angazhim dhe integrim në jetën sportive e profesionale.

Shpresoj që edhe institucionet shtetërore, duke filluar nga ministritë përgjegjëse dhe qeveritë e sotme e të ardhshme, të ndërmarrin hapa konkretë për të krijuar politika që nderojnë dhe mbështesin ata që kanë shkruar historinë e sportit tonë.

Në emrin tim dhe të shumë bashkëlojtarëve të gjeneratës së artë të Prishtinës, shpreh mirënjohjen tonë për këtë mbështetje dhe për faktin se nuk jemi lënë në harresë.

Ramadan Cimili
Ish-futbollist i gjeneratës së artë të Prishtinës dhe futbollit të Kosovës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *