June 2026
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
2930  
June 7, 2026

Kosova mposht Andorrën, triumfi i dedikohet Fatjon Bunjakut

Kombëtarja e Kosovës është rikthyer te fitorja, duke e mposhtur Andorrën me rezultat 3:0 në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mbrëmja ishte e mbushur me emocione, pasi para fillimit të takimit u mbajt një minutë heshtje në nderim të futbollistit Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën tragjikisht. Në shenjë respekti për kujtimin e tij, lojtarët tanë ia dedikuan atij golat dhe fitoren e kësaj ndeshjeje.

Dardanët dominuan lojën që nga fillimi, duke kontrolluar posedimin dhe ritmin e takimit. Megjithatë, goli i epërsisë erdhi në minutën e 41-të, kur Fisnik Asllani realizoi nga gjuajtja e lirë. Topi fillimisht u përplas në shtyllë dhe më pas përfundoi në rrjetë pasi goditi portierin kundërshtar.

Me epërsinë minimale të Kosovës u mbyll pjesa e parë, derisa në vazhdim skuadra e Franco Fodës e vulosi fitoren edhe me dy gola të tjerë.

Në minutën e 52-të, Albion Rrahmani u tregua i saktë nga pika e bardhë për rezultatin 2:0. Pas golave, ai dhe Asllani ngritën fanellën me emrin e Fatjon Bunjakut, duke ia dedikuar realizimet e tyre futbollistit të ndjerë.

Goli i tretë dhe i fundit i takimit erdhi në minutën e 77-të. Valmir Matoshi shënoi golin e parë me fanellën e Kosovës, duke realizuar me kokë pas një aksioni të mirë të Dardanëve.

Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Kosova e mbylli me fitore këtë ndeshje miqësore, e cila do të mbahet mend jo vetëm për triumfin në fushë, por edhe për nderimin e veçantë kushtuar Fatjon Bunjakut.

Kombëtarja jonë do të rikthehet në aksion në muajin shtator, kur do t’i nisë sfidat në Ligën e Kombeve, me ndeshjen kundër Irlandës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *