Emërllahu: Është ëndërr të shënosh gol për Kosovën
Lindon Emërllahu e shënoi golin e vetëm të Kosovës në ndeshjen ndaj Çekisë.
Kosova të dielën u mposht në miqësore nga Çekia me rezultatin 2:1.
Emërllahu, që luan te skuadra ukrainase Polissya Zhytomyr, deklaroi se është ëndërr e çdo futbollisti të shënoj gol për përfaqësuese.
Ai ka thënë se Kosova me më shumë fat ka mundur të barazonte me Çekinë.
“Ka qenë një test i mirë duke pasur parasysh që Çekia është një kombëtare shumë e fortë dhe që ka shkuar në Botëror. Zhvilluam një pjesë të parë jo të mirë, por në pjesën e dytë kishim disa raste dhe mendoj që me pak fat mund të ishte mbyllur ndeshja me barazim. Ndjenjë shumë e mirë duke marr parasysh se të luash për kombëtaren dhe të shënosh gol është ëndërr e çdo futbollisti, jo vetëm e imja por e çdo lojtari që është këtu në grumbullim. Duhet të përgatitemi shumë mirë dhe të kthemi te fitorja. Duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen ndaj Andorrës që e zhvillojmë të dielën”, ka thënë mesfushori me tipare defensive për faqen zyrtare të FFK-së.
“Dardanët” të hënën kanë vazhduar përgatitjet për ndeshjen e radhës miqësore ndaj Andorrës.
Kosova të dielën nga ora 19:00 e pret Andorrën në “Fadil Vokrri”.
Në seancën e së hënës morën pjesë 11 futbollistë, kurse pjesa tjetër e grupit ka vazhduar me program regjenerues në hotel.
