Dukagjini e mposht kampionen
Dukagjini i Klinës ka arritur fitore shumë të rëndësishme të dielën në Klinë përballë kampiones së këtij edicioni në elitën e futbollit kosovar, Dritës.
Dukagjini në stadiumin “18 Qershori” fitoi 2:0 përballë skuadrës gjilanase.
Finalisti i Kupës së Kosovës shënoi për 1:0 me qendërmbrojtësin Besir Iseni në minutën e 19-të, ndërsa për 2:0 realizoi sulmuesi Altin Merlaku, në minutën e 41-të. Dukagjinit iu anulua edhe një gol për pozitë jashtë loje në pjesën e parë.
Dukagjini me këtë fitore mbetet në pozitën e pestë me 45 pikë, sa ka edhe Gjilani në vendin e gjashtë. Të dyja këto skuadra e kanë një pikë më pak se Prishtina që është e katërta, një më shumë se Drenica që është e shtata, dhe dy më shumë se Llapi që aktualisht është i teti, në zonën e barazhit.
Drita në pozitën e parë i ka 66 pikë.
Dukagjini më 21 maj do të luajë edhe në finale të Kupës së Kosovës ndaj Ferizajt, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
