Prishtina pëson humbje nga Prishtina e Re, humb shpresat për Evropë
Prishtina e Re thuajse është pa gjasa për t’i shpëtuar rënies në Kategorinë e Dytë të futbollit të Kosovës. Por të mërkurën, Prishtina e Re e mposhti Prishtinën me rezultat 3:2.
Ndeshja e xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll u zhvillua në Kampion Nacional në Hajvali. Ishte ndeshja hapëse e xhiros së 33-të. Ndeshjet tjera të kësaj xhiroje do të luhen në fundjavë.Prishtina e mbylli me epërsi 1:0 pjesën e parë me golin e realizuar nga penallti nëpërmjet kapitenit Leotrim Kryeziu.
Me të nisur pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 48-të, Prishtina realizoi edhe golin e dytë.
Për 2:0 golashënues ishte Ardian Muja.
Por Prishtina e Re nuk u dorëzua.
Realizoi golin e parë në minutën e 55-të nëpërmjet Ibrahim Kargbos.
Në minutën e 72-të, Prishtina e Re barazoi rezultatin.
Golin për 2:2 nga penalltia e shënoi Nedim Mekiq.
Gjërat u vështirësuan për Prishtinën, e cila nga minuta e 70-të luajti me një lojtarë më pak në fushë.
Arjol Bllaca u ndëshkua me karton të kuq pak minuta pas inkuadrimit në fushë.
Epërsinë numerikë në fushë e shfrytëzuan lojtarët e Prishtinës së Re, që shënuan golin e tretë.
Golin që ia siguroi fitoren me rezultat 3:2 Prishtinës së Re, e shënoi realizatori i golit të parë, Kargbo në minutën e 76-të.
Ai realizoi pas topit të kthyer nga portieri i Prishtinës.
