June 16, 2026

Nottingham Forest dhe Braga hedhin hap drejt finales së Europa League

Nottingham Forest ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së UEFA Europa League, pasi ka shënuar fitore minimale 1:0 ndaj Aston Villa në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Skuadra nga Nottingham e siguroi avantazhin falë një penalltie të realizuar nga Chris Wood në minutën e 71-të, duke i dhënë ekipit të tij një epërsi të vlefshme për ndeshjen e kthimit në “Villa Park”.

Në gjysmëfinalen tjetër, SC Braga triumfoi në një përballje dramatike ndaj SC Freiburg, me rezultat 2:1.

Portugezët kaluan në epërsi që në minutën e 8-të me golin e Demir Ege Tıknaz, por reagimi i mysafirëve ishte i shpejtë, me Vincenzo Grifo që barazoi vetëm tetë minuta më pas.

Drama u thellua në fundin e pjesës së parë, kur Rodrigo Zalazar humbi një penallti për Bragan në kohën shtesë. Megjithatë, heroi i mbrëmjes u bë Mario Dorgeles, i cili realizoi golin e fitores në minutën e 92-të, duke i dhënë ekipit portugez një avantazh të lehtë për ndeshjen e kthimit.

Finalja e këtij edicioni të UEFA Europa League është planifikuar të zhvillohet më 20 maj në Vodafone Park në Istanbul, ku pritet një përballje e zjarrtë për trofeun kontinental.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *