FIFA i jep jehonë të madhe takimit të Ademit e Çekut me Infantinon

Vizitës së sotme të delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Futbollit në Cyrih, FIFA i ka kushtuar rëndësi të madhe. Në fakt, faqja zyrtare e FIFA-s i ka bërë jehonë takimit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino me presidentin Agim Ademi, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe u.d. sekretarin e përgjithshëm, Taulant Hodaj.
“Gjatë takimit, FFK-ja falënderoi presidentin e FIFA-s për mbështetjen dhe të dyja palët premtuan se do të vazhdojnë të punojnë së bashku për zhvillimin e futbollit të meshkujve dhe femrave në të gjitha nivelet në këtë vend, që është anëtar i FIFA-s që nga viti 2016”, thuhet në fillim të artikullit në FIFA.com.
“FFK do të jetë gjithmonë afër FIFA-s dhe do ta mbështesë FIFA-n në mënyrën e vet, duke pasur parasysh se FIFA na ka mbështetur që nga fillimi dhe që nga pranimi i federatës sonë në FIFA”, citon fjalët e presidentit Ademi faqja zyrtare e FIFA-s, teksa ai e ka përgëzuar z. Infantino edhe për organizimin e suksesshëm të Kupës së Botës “FIFA Katar 2022™”.
“Infrastruktura e futbollit dhe futbolli në përgjithësi ka pasur një rritje të jashtëzakonshme. Administrata e Kosovës (FFK-së, v.j.) është bërë tashmë një administratë profesionale, falë mbështetjes së FIFA-s”, citohet më tej presidenti i FFK-së.
Tutje FIFA.com ka rikujtuar se FFK-ja është angazhuar në mënyrë aktive në programin FIFA Forward që nga fillimi i lansimit të tij në vitin 2016, duke përfituar mjete për ndërtimin e fushave artificiale për klubet e ligës dhe një projekt për zbatimin e teknologjisë VAR.
“Jam krenar për mundësinë që më kanë dhënë FIFA dhe UEFA për të organizuar infrastrukturën, për t’i mundësuar talenteve tona që të kenë bazat: fushat, topat e futbollit e fanellat, në mënyrë që ata të zhvillojnë talentin e tyre. Kjo është krenaria ime më e madhe, sepse tani futbolli është gjerësisht i aksesueshëm në Kosovë”, citohet tutje presidenti Ademi.
FIFA.com më tej thekson se z. Ademi e falënderoi Gianni Infantino për vizitën e tij në Kosovë në shtator të vitit 2022, duke thënë se “ajo vizitë e ka inkurajuar qeverinë që të ofrojë mbështetje dhe të punojë së bashku me FFK-në. Në këtë rast, ajo ka rritur profilin tonë dhe ka rritur nivelin e interesit nga qeveria jonë. Për ne, por sidomos për mediat, ardhja e presidentit Infantino ishte vizita e profilit më të lartë në vitin 2022 në shtetin e Kosovës”.
Më tej FIFA.com shkruan se presidenti Infantino e vlerësoi vizionin e Kosovës. “Ishte një takim i mrekullueshëm. Ekziston një projekt fantastik në Kosovë për të investuar në infrastrukturën e futbollit, për të investuar në të rinjtë në të ardhmen, për të ndërtuar stadiume të reja, ambiente stërvitore, akademi, për vajzat dhe djemtë e Kosovës”, tha ai.
“Ata do të kenë infrastrukturën më të mirë të mundshme dhe ne në FIFA jemi krenarë që jemi pjesë e ekipit në Kosovë, së bashku me qeverinë dhe së bashku me federatën për të ndihmuar në ndërtimin e kësaj infrastrukture për të ardhmen”, citohet Infantino.
