Llapi fiton në frymën e fundit në Klinë
Llapi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Dukagjinin me rezultat 2:1 në ndeshjen e xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.
Skuadra nga Podujeva e nisi në mënyrë ideale takimin, pasi Edon Sadriu shënoi që në minutën e 2-të për epërsinë 1:0 të mysafirëve.
Megjithatë, Dukagjini reagoi në pjesën e dytë dhe arriti ta barazojë rezultatin në 1:1 me golin e Hekuran Berishës në minutën e 54-t.
Ky gol u shoqërua me reagime nga kampi i mysafirëve, të cilët pretenduan për faul në aksionin që parapriu golin. Për shkak të protestave të ashpra, trajneri Tahir Batatina dhe ndihmësi i tij Sunaj Keqi u ndëshkuan me kartonë të kuq.
Vendasit kishin mundësi të mirë edhe në pjesën e parë, por nuk arritën ta konkretizojnë një penallti.
Kur dukej se ndeshja do të përfundonte pa fitues, në skenë doli Fiton Ademi, i cili në minutën e katërt shtesë devijoi topin drejt portës dhe i dha Llapit fitoren 2:1.
Pas kësaj fitoreje, Llapi forcon pozitën e shtatë në tabelë me 29 pikë, ndërsa Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 33 pikë.
