Arbeloa: Courtois është portieri më i mirë në historinë e Real Madridit
Trajneri i Real Madridit, Álvaro Arbeloa, ka bërë një deklaratë të fortë duke e cilësuar Thibaut Courtois si portierin më të mirë në historinë e klubit.
Arbeloa tha se është plotësisht i bindur për këtë vlerësim dhe nuk sheh vend për debat, edhe kur bëhet krahasimi me legjendën e portës madrilene, Iker Casillas.
“Qëndroj pas asaj që thashë ditën tjetër. Për mua, me siguri, Courtois është portieri më i mirë në historinë e këtij klubi. Atë që po bën ai në portë nuk e kam parë nga askush tjetër. Për mua nuk ka asnjë debat për këtë çështje”, u shpreh Arbeloa.
Ai foli edhe për ndeshjet e radhës të madrilenëve, duke theksuar se skuadra do të zbresë në fushë me formacionin më të mirë për të siguruar fitore.
“Sot do të nxjerrim në fushë 11-shen më të mirë të mundshme për të fituar. Lojtarët duhet të japin gjithçka në çdo ndeshje, sepse kjo është puna e tyre. Duam një atmosferë si ajo që patëm ndaj Manchester City. Ne e njohim shumë mirë kundërshtarin tonë, Elche CF, dhe jemi gati të bëjmë përpjekje shtesë”, theksoi ai.
Arbeloa komentoi edhe situatën e sulmuesit francez Kylian Mbappé, duke treguar se ai nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës.
“Mbappé nuk do të jetë me ne të shtunën, por besojmë se do të jetë gati për udhëtimin në Manchester”, përfundoi Arbeloa.
