Drita bindëse ndaj Prishtinës së Re
Me golat e Albert Dabiqajt, Liridon Balajt dhe Mike Arthur skuadra kampione në fuqi, Drita ka shënuar fitoren e 12-të në këtë edicion, që ia mundëson rikthimin në pozitën e parë me 42 pikë.
Skuadra gjilanase triumfoi me rezultat bindës 3:0 ndaj Prishtinës së Re në kuadër të javës së 23-të të Superligës së Kosovës, në një ndeshje ku dy golat e pjesës së parë i hapën rrugë suksesit.
Drita kaloi në epërsi në minutën e 34-të me golin e Albert Dabiqajt, ndërsa në minutën e parë shtesë të pjesës së parë Liridon Balaj dyfishoi rezultatin, duke e bërë më të qetë pjesën e dytë për ekipin e tij.
Golin e tretë dhe të fundit e realizoi Mike Arthur në minutën e 92-të, pasi kaloi një mbrojtës dhe portierin kundërshtar për të shënuar në portën e zbrazët.
Me këtë fitore, Drita vazhdon serinë e rezultateve pozitive, duke regjistruar katër fitore dhe katër barazime në tetë ndeshjet e fundit të kampionatit. Skuadra gjilanase nuk ka pësuar humbje në Superligë që nga 30 nëntori i vitit të kaluar, kur ishte mposhtur nga Ballkani.
Në anën tjetër, Prishtina e Re mbetet në vendin e nëntë me 22 pikë të grumbulluara.
