FIFA uron presidentin Ademi për rizgjedhjen: Mbështetje e plotë për zhvillimin e futbollit në Kosovë
Federata e Futbollit e Kosovës ka pranuar një letër zyrtare urimi nga shtëpia botërore e futbollit, FIFA, me rastin e rizgjedhjes së Agim Ademit në krye të FFK-së. Në letrën e dërguar nga selia e FIFA-s në Cyrih për presidentin Ademi, Sekretari i Përgjithshëm, Mattias Grafström, ka përcjellë urimet më të ngrohta në emër të tij dhe të gjithë organizatës për mandatin e ri.
FIFA ka vlerësuar lart progresin e arritur dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar marrëdhëniet bashkëpunuese.
Në letrën e tij, Grafström theksoi përkushtimin për të punuar së bashku në promovimin dhe zhvillimin e futbollit në të gjithë Kosovën dhe në Evropë.
FIFA ka thënë se mbetet e hapur për të ndihmuar në zbatimin e vizionit të FFK-së përmes programeve të saj të ndryshme, duke forcuar lojën në të gjitha nivelet.
Përveç urimeve për presidentin, letra përmban vlerësime të veçanta edhe për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Sipas FIFA-s, përvoja dhe përkushtimi i dëshmuar gjatë mandatit paraprak do të jenë kyç në udhëheqjen e sigurt të së ardhmes së federatës.
Letra e plotë e FIFA-s:
I nderuar President, i nderuar z. Ademi,
Jam shumë i lumtur t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për rizgjedhjen tuaj si president i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Pres me padurim të vazhdojmë ndërtimin e një marrëdhënieje të fortë dhe bashkëpunuese me ju dhe ekipin tuaj, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për të promovuar dhe zhvilluar lojën e bukur të futbollit në të gjithë Kosovën dhe në Evropë.
Siç e dini, së bashku me gjithë ekipin e FIFA-s, ne jemi këtu për ju dhe mbetemi në dispozicion për t’ju ndihmuar në zbatimin e vizionit tuaj dhe, përmes programeve tona të ndryshme, të forcojmë më tej lojën në të gjitha nivelet.
Gjithashtu dëshiroj të përgëzoj anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të zgjedhur krahas jush, përvoja dhe përkushtimi i të cilëve, siç u dëshmua gjatë mandatit tuaj të kaluar, do të vazhdojnë të luajnë një rol esencial në mbështetjen e vendimeve tuaja dhe në udhëheqjen e së ardhmes së federatës suaj.
Pres me padurim t’ju shoh në një të ardhme të afërt. Jam i sigurt se kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar më tej objektivat tona të përbashkëta për zhvillimin e futbollit dhe se si mund të vazhdojmë t’ju ndihmojmë.
Urime edhe një herë për këtë arritje të rëndësishme. Ju urojmë çdo sukses dhe mbetemi të përkushtuar për të mbështetur përpjekjet tuaja në çdo hap të këtij rrugëtimi.
I juaji në futboll,
Mattias Grafström
Sekretar i Përgjithshëm i FIFA-s
