Momenti më i vështirë në jetën e Ibrahimoviqit: U largua nga gruaja dhe djali i sëmurë
Zlatan Ibrahimoviq e ka ndërtuar karrierën dhe imazhin e tij mbi forcën e pandalshme, arrogancën dhe një vetëbesim pothuajse hyjnor. Por në autobiografinë e tij të famshme “Unë jam Zlatan”, ikona suedeze e futbollit rrëfen një moment të plotë pafuqie që e theu shpirtërisht dhe e shtyu të bënte një veprim për të cilin, siç thotë vetë, nuk ia ka falur kurrë vetes.
Ishte koha kur djali i tij i porsalindur, Maksimilian, po luftonte betejën më të rëndë të jetës, ndërsa Zlatani, në vend që të ishte shtylla e familjes, u largua nga spitali.
Menjëherë pas lindjes së djalit të madh, Maksimilian, në vitin 2006, Zlatani dhe partnerja e tij (atëherë e pamartuar), Helena Seger, vunë re se diçka nuk shkonte. Foshnja nuk shtonte peshë, përkundrazi, po dobësohej dhe vjellte vazhdimisht.
“Nuk e dinim nëse ishte normale. Vjellte pa pushim. Fola me familjen dhe miqtë dhe të gjithë më thoshin se nuk ishte gjë serioze. Përpiqesha ta qetësoja edhe veten,” kujton Ibrahimoviqi në libër. Por kur më në fund e çuan te mjeku, pasoi shoku: fëmija u mbajt urgjentisht në spital.
“Trupi më ishte ngrirë. Kurrë më parë nuk isha ndier kështu, as për së afërmi. Derisa u bëra prind, isha ‘Zoti i Paprekshëm’. Mund të isha i zemëruar, i çmendur, të shfaqja çdo emocion. Gjithçka zgjidhej me kokëfortësi dhe këmbëngulje. Por kjo nuk ishte asgjë nga këto. Isha plotësisht i pafuqishëm,” shkruan ai.
Gjendja po përkeqësohej. “Maksimilian nga dita në ditë bëhej gjithnjë e më i dobët. Ishte aq i vogël sa dukej vetëm kockë e lëkurë. Dukej sikur jeta po e linte.”
Mjekët konstatuan se foshnja duhej urgjentisht t’i nënshtrohej një operacioni në stomak. Ky lajm e theu plotësisht futbollistin, i cili në atë kohë ishte yll i Interit të Milanos. Ndjenja e pafuqisë ishte e padurueshme.
“Nuk e mbaj mend rrugën deri në spital. Më kujtohen vetëm korridoret dhe erërat. Vrapoja dhe pyesja vetëm se ku ishte djali im. Në fund më çuan në një sallë të madhe ku Maksimilian qëndronte në inkubator. Ishte më i vogël se kurrë… kishte tuba në trup dhe në hundë. Atë çast m’u duk sikur zemra m’u shkëput nga kraharori,” rrëfen ai.
I përballur me frikën më të madhe të jetës, Zlatani u thye. Nuk arriti të qëndronte pranë djalit dhe partneres së tij.
“‘Ju dua të dyve. Jeni gjithçka për mua. Por këtë nuk mund ta përballoj. Më telefono për çdo gjë, edhe për gjënë më të vogël që ndodh’, i thashë Helenës dhe ika nga spitali.”
Fatmirësisht, operacioni doli me sukses dhe Maksimilian u shërua plotësisht. Sot ai është një djalë i shëndetshëm, i cili, bashkë me vëllain më të vogël, Vincentin, po ndjek hapat e të atit në kategoritë e reja të Milanit.
