February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

Drita pëson në Madrid, por ka festë – kualifikohet në “play-off”

Drita ka pësuar humbjen e dytë radhazi në UEFA Conference League, por kampionia e Kosovës ka siguruar kualifikimin historik për në “play-off”-in e fazës nokaut. Skuadra nga Gjilani do t’i ketë edhe dy ndeshje për të synuar kalimin në një të tetën e finales.

Të enjten mbrëma, Drita u mposht bindshëm në Madrid nga Rayo Vallecano, me rezultat 3:0, në ndeshjen e fundit të fazës së ligës. Me të njëjtin rezultat, gjilanasit ishin mposhtur edhe javën e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” nga AZ Alkmaar.

Skuadra spanjolle, që garon në La Liga, ishte favorite e madhe dhe e dominoi ndeshjen. Florian Lejeune hapi serinë e golave në minutën e 33-të, ndërsa Gerard Gumbau realizoi për 2:0 në minutën e 66-të pas një goditjeje indirekte në zonën e Dritës. Rezultatin përfundimtar 3:0 e vulosi Alfonso Espino në minutën e 83-të.

Drita e mbylli fazën e ligës në vendin e 20-të me tetë pikë, duke siguruar kualifikimin në plejof falë fitoreve ndaj Shelbourne dhe Shkëndijës, si dhe barazimeve me KuPS dhe Omonia. Ndërkohë, Rayo Vallecano e përfundoi fazën e ligës në vendin e katërt, duke u kualifikuar direkt në një të tetën e finales.

Kjo ishte hera e parë që Drita u paraqit në fazën e ligës të UEFA Conference League, niveli i tretë i garave evropiane për klube, që tashmë e ka zëvendësuar fazën grupore. Avancimi i menjëhershëm në fazën nokaut përbën një sukses të madh për futbollin kosovar.

Ndeshjet e “play-off”-it të fazës nokaut do të zhvillohen më 19 dhe 26 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa shorti do të hidhet më 16 janar. Drita do të jetë në mesin e skuadrave jobartëse.

Në fazën e ligës garuan 36 skuadra: tetë të parat avancuan direkt në një të tetën e finales, ekipet nga vendi i nëntë deri në të 24-tën kaluan në plejof, ndërsa skuadrat nga pozita e 25-të deri në të 36-tën u eliminuan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *