Miran Ademi ishte caku i radhës i kryetarit të UKSHFZ, Feti Demolli që takoi në vazhdën e zbulimit të talenteve të ri në futboll
Feti Demolli, kryetar i Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, së bashku me kryesinë, po zhvillojnë një aktivitet tejet mbështetës dhe produktiv për talentet e rinj. Përmes kampit stërvitor në Zvicër, të rinjtë po marrin mundësi reale për afirmim më të shpejtë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt në futboll.
Ky projekt madhor synon t’i integrojë grupmoshat e reja në programe konkrete që zhvillohen nga UKSHFZ, në bashkëpunim dhe mbështetje të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kryetarit Agim Ademi.
Miran Ademi, i lindur më 19 mars 2007 në Saint-Julien-en-Genovois të Francës, afër kufirit me Zvicrën, është një nga talentet premtuese që po zhvillohet me hapa të sigurt.
Si shumë familje shqiptare që kanë migruar, edhe prindërit e tij janë përpjekur ta integrojnë dhe t’i ofrojnë mundësi të mira në arsim dhe aktivitete kulturore. Dashuria e Miranit për futbollin ka qenë e dukshme që në moshë të vogël, ndërsa familja e ka mbështetur vazhdimisht sipas mundësive.
Miran Ademi nisi rrugëtimin e tij futbollistik në moshën 8-vjeçare, duke iu bashkuar klubit US Saint-Julien. Aty u formua si futbollist dhe shpejt u bë i dashur për trajnerin dhe bashkëlojtarët.
Ai u shqua si lojtar me potencial të lartë për gol, shpesh vendimtar në momentet kur ekipi ishte në vështirësi.
Në vitin 2020, pas marrjes së përvojës së parë dhe fitimit të vetëbesimit, Mirani u bashkua me grupmoshat më të rritura të klubit, ku qëndroi deri në vitin 2025.
Aty nisi të merrte rolin e liderit në fushë, ndërsa trajnerët e vlerësuan lartë për teknikën, shpejtësinë dhe inteligjencën e lojës.
Prindi i tij, Gafurri, me krenari tregon se Mirani është dominues sidomos në sulm me këmbën e majtë, por përdor shumë mirë edhe të djathtën.
Karakteristikat fizike dhe teknike
- Lartësia: 1.82 m
- Pesha: 70 kg
- Pozitat: sulmues i majtë / qendërsulmues
- Përparësitë: shpejtësi e madhe, teknikë e avancuar, aftësi të forta në kundërsulme
Me fizikun elegant dhe shpejtësinë e lartë, ai shpesh e vë kundërshtarin në situata të vështira, pavarësisht moshës.
Që nga viti 2025, Mirani është pjesë e klubit FC Lancy. Trajnerët e tij e vlerësojnë si lojtar shumë të disiplinuar, të urtë dhe profesional jashtë fushe, ndërsa brenda fushës shquhet për teknikë, qartësi në aksione dhe efikasitet të lartë në kundërsulme.
Mirani Ademi është një djalosh me karakter të fortë, pozitiv dhe të gjithanshëm. Me përparimin që po bën dhe me mbështetjen e vazhdueshme të familjes dhe strukturave sportive, ai ka të gjitha mundësitë për të ndërtuar një karrierë të suksesshme./Syri.tv
/
