Arlind Veliu ‘Ylli i Javës’ në Superligë
Arlind Veliu i Malishevës është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros në Superligën e Kosovës. Sipas vlerësimit të komisionit të angazhuar nga FFK-ja, Veliu është dalluar në fitoren 2:0 të Malishevës ndaj Drenicës.
Mbrojtësi Veliu i shënoi të dy golat për Malishevën. Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e 16-të të elitës kosovare të futbollit. FFK-ja shpall rregullisht më të mirin e xhiros.
Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Nuk e kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por megjithatë me trajnerin e ri po mundohemi të përmirësojmë lojën dhe të kuptojmë filozofinë e tij. Ambiciet tona janë tre vendet e para të tabelës dhe dalja në Evropë.
E kemi ditur që kemi pasur një ndeshje të vështirë kundër Drenicës dhe mendoj se ia kemi dalë ta përgatisim mirë dhe të shënojmë fitore.
Në aspektin personal, gëzohem që kam mundur të ndihmoj ekipin me dy gola dhe për këtë i falënderoj bashkëlojtarët e mi për angazhimin”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
