February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Favre thotë se FFK ka bërë mrekulli për futbollin në Kosovë: Koha që shteti të bëjë më shumë në infrastrukturë

Thierry Favre, drejtor i programit HatTrick dhe drejtor i zhvillimit të federatave kombëtare në UEFA ka thënë se Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë punë të jashtëzakonshme në përmirësimin e kushteve dhe të zhvillimit të futbollit në Kosovë me mbështetjen e UEFA-s dhe FIFA-s, por tani është koha që ‘dora e shtetit’ të ndihet më shumë në infrastrukturë. Ai ka thënë se Federata e ka të pamundur të ndërtojë stadium kombëtar dhe stadiume moderne në qytetet e mëdha, porse kjo i takon autoriteteve qeveritare.

“Është shumë e vështirë. Ne kemi para nga programet e UEFA-s, po këto gjëra në shumë vende tjera zakonisht i mbulojnë autoritetet lokale. Si mund ta financojë federata një stadium kombëtar dhe të krijojë kushte më të mira në të gjitha rajonet e saj? Financiarisht është e pamundur. Dhe ne kishim një diskutim për këtë temë. Ju natyrisht keni shumë lojtarë që vijnë nga Diaspora, Gjermania, Zvicra, Austria…, por keni edhe talente vendore dhe ata kanë nevojë për kushte të mira. Federata juaj mund të ndihmojë duke siguruar që ka trajnerë të mirë, që ndjekin metodologjitë e duhura. Sepse futbolli sot është tepër konkurrues. Nëse nuk lind me talent të jashtëzakonshëm, duke të fillosh që i vogël të luash. Prandaj, programet e federatës duhet të fokusohen në trajnim të mirë për fëmijët. Fëmijët e Diasporës ndoshta tashmë e kanë një gjë të tillë, pra trajnerë të mirë dhe kushte të mira, por këtu për këto gjëra duhet t’iu mbështesin më shumë autoritetet vendore”, tha Favre.

Ai tha se Federata e ka kryer punën e vet me projekte të rëndësishme, siç janë stadiumi ‘Fadil Vokrri’, selia e FFK-së e Kampi Nacional në Hajvali dhe se tani i mbetet shtetit të bëjë punën e tij, teksa përmendi rastin e Shqipërisë, ku janë bërë investime shumë të mëdha në stadiume, siç është ‘Arena Kombëtare’ në Tiranë, stadiumi i Shkodrës, ai i Elbasanit, ai i Rrogozhinës, Vlorës etj. “Ne e sollëm Komitetin HatTrick këtu. Presidenti juaj është një nga nënkryetarët e këtij komiteti. Dhe pse donim që anëtarët e këtij komiteti të vinin këtu? Sepse ata janë personat që marrin vendimet përfundimtare. Unë vetëm paraqes projektin dhe e mbroj atë, por ata janë kyç. Dhe donim që ata të vinin dhe t’i shihnin nga afër të gjitha, pasi ata janë gjykues më të rëndësishëm se unë. Ata u mahnitën, sepse vizituan stadiumin ‘Fadil Vokrri’, selinë e FFK-së dhe Kampin në Hajvali. Ata thanë: ‘Është fantastike të shohësh ndikimin e vendimeve tona dhe ndikimin që ato kanë tek njerëzit këtu dhe për futbollin’. Pra ata thjesht u mahnitën dhe komentet e tyre thanë gjithçka për federatën tuaj”, shtoi Favre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *