Humbje surprizuese për Manchester Cityn – fitore të rëndësishme për Leverkusenin, Dortmundin, Juventusin dhe Marseillen
Manchester City ka pësuar humbjen e parë këtë sezon në Ligën e Kampionëve, duke u mundur 0:2 nga Bayer Leverkusen në “Etihad”. Pep Guardiola vendosi të rotacionojë skuadrën, duke lënë jashtë formacionit titullar emra si Phil Foden, Erling Haaland, Jeremy Doku dhe Ryan Cherki. Kjo u shfrytëzua maksimalisht nga gjermanët.
Grimaldo shënoi golin e parë në pjesën e parë, ndërsa Schick vulosi fitoren në të dytën, duke i dhënë Leverkusenit një triumf të madh ndaj kampionëve të Anglisë.
Napoli arriti një fitore të qartë ndaj Qarabag me rezultat 2:0. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa Højlund humbi një penallti. Në pjesën e dytë, ndeshja u zhbllokua nga goli i McTominay, ndërsa më pas një autogol i Jankovic i dha siguri ekipit të Contes.
Borussia Dortmund siguroi një fitore bindëse 3:0 ndaj Villarrealit. Girassi shënoi dy gola, ndërsa Adeyemi realizoi golin tjetër.
“Milionerët” humbën edhe një penallti, por fitorja nuk u vu kurrë në dyshim.
Juventus shënoi fitoren e parë në grup me një triumf dramatik 3:2 në fushën e Bodo/Glimt. Në pjesën e parë, kampionët norvegjez kaluan në epërsi me Blomberg, por në pjesën e dytë Openda dhe McKennie përmbysën gjithçka brenda dhjetë minutave.
Në minutën e 87-të, Fet barazoi nga penalltia, por në kohën shtesë David shënoi golin e fitores për “Zonjën e Vjetër”. Edon Zhegrova u inkuadrua në minutën e 83-të.
Në “Velodrome”, Olympique Marseille triumfoi 2:1 ndaj Newcastle.
Anglezët kaluan të parët në epërsi përmes Barnes, por Pierre-Emerick Aubameyang shënoi dy gola brenda katër minutave (46’ dhe 50’), duke i dhënë tre pikë ekipit francez.
Ndeshja e vetme që përfundoi pa gola ishte ajo midis Slavia Pragës dhe Athletic Bilbaos, pavarësisht rasteve në të dyja portat.
