Ademi optimist për play-off-in: Besoj te Gladiadorët dardanë
Kosova do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off-it të Kupës së Botës. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi është i vetëdijshëm se kjo është një sfidë e vështirë, por ka shpresë për të kaluar tutje.
“Nuk ka ndeshje të lehta. Secila është finale. Shpresoj të jemi mirë, pa lëndime dhe pa kartona. Nuk është pjesa më e frikës që duhet të kemi, por duhet të japim 100% si në ndeshjet e fundit. Besoj në grupin e futbollistëve dhe shumë shpejt do të vjen marsi dhe do t’i shohim sërish këta gladiatorë dardanë të cilët na kanë bërë të lumtur. Besoj dhe shpresoj që këto dy hapa që i kemi do t’i tejkalojmë dhe të jemi në Kupën e Botës. Me formën e tashme, lojën dhe taktikën që kemi përdorur, shumë vështirë e ka dikush me na mund. Vetëm të mos mungojë askush nga lëndimet”, u shpreh Ademi për News24, raporton Futbolli.info.
Ai komentoi edhe simbolikën politike të kësaj përballjeje, pasi Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës:
“Futbolli është apolitik, por nëse politika don ta shfrytëzojë këtë, mund ta bëjë. Ne do të luajmë futboll dhe do ta çojmë Kosovën lart”.
Kreu i FFK-së tregoi edhe kë do të preferonte në finale të ‘play-off’-it nëse kalohet me sukses sfida në Bratisllavë.
“Rumania apo Turqia në finale? Cilado që të vijë do të jetë ekip i fortë. Por unë e shoh një lehtësim me Rumaninë”.
Ademi komentoi edhe kualifikimin historik të Shqipërisë në play-off, si dhe fitoren e kuqezinjve ndaj Serbisë, që ishte çelësi i suksesit.
“Ajo ka qenë festa e kualifikimit sepse aty ka qenë hapi kryesor. Besoj shumë që Shqipëria do t’i kalojë dhe këto dy pengesa të tjera shumë më lehtë se Kosova dhe do të jetë në Botëror. Sigurisht që nuk e kam dashur Shqipërinë në grup sepse kam dashur që të shkojmë të dyja në Botëror, që mos të vjen puna ta eliminojmë njëra-tjetrën. Dhe po të ndodhë që të jemi atje dyjat kjo do të ishte mrekullia e veçantë”, tha Ademi.
