Guardiola paralajmëron: Tani nis sezoni i vërtetë, nuk lëshojmë më pikë
Pep Guardiola ka dhënë një sinjal të qartë për rivalët në Premier League, duke theksuar se sezoni i vërtetë fillon tani, pikërisht në periudhën më të ngjeshur të ndeshjeve. Manchester City rikthehet në kampionat këtë fundjavë me një sfidë të vështirë në udhëtim kundër Newcastle, ndërsa synon të mbajë hapin me liderët e Arsenalit.
Trajneri spanjoll vuri në dukje se kjo fazë e sezonit është përcaktuese në garën për titull:
“Ka dy pjesë të sezonit: kur mbaron afati i transferimeve në verë, dhe më pas kur mbaron pushimi ndërkombëtar i nëntorit. Dhe tani pushimi ndërkombëtar ka mbaruar, tani deri në mars takohemi me njëri-tjetrin çdo tre ose katër ditë me ndeshje. Tani fillon sezoni i vërtetë, i vërtetë. Gjëja e rëndësishme është të jesh në krye ose afër tij,” tha Guardiola.
Ai shtoi se fitorja kundër Newcastle do të ishte hap shumë i rëndësishëm për objektivat e Cityt:
“Dhe pas kësaj, të arrijmë në fund të sezonit me mundësinë për të luftuar për të. Ky është objektivi, ndaj fitorja nesër do të jetë një hap i rëndësishëm për ne.”
Guardiola vlerësoi formën e lartë të Arsenalit, duke paralajmëruar se skuadra e Artetas nuk pritet të humbasë shumë pikë:
“E vërteta është se një ekip aq i fortë sa Arsenal, janë të patëmetë. Është e njëjta ndjenjë që pata kur luftuam kundër Liverpool në të kaluarën. Ndjesia që pata është se ata nuk do të humbasin shumë pikë. Nëse ata shkëputen shumë pikë do të jetë e vështirë t’i kapim, siç bëri Liverpool sezonin e kaluar.”
Trajneri i Cityt theksoi se presioni është i madh për skuadrat që janë prapa:
“Ata që janë prapa duhet të ushtrojnë presion të jashtëzakonshëm. Kur distanca është kaq e madhe, është kaq e vështirë. Në të njëjtën kohë, jemi në nëntor dhe asgjë nuk është e përcaktuar. Në shkurt ose mars, kini kujdes, por tani është fillimi i sezonit.”
