Drenica mposht Ballkanin, Llapi luan baras me Prishtinën e Re
Drenica ka befasuar nënkampionin Ballkani, duke e mposhtur me rezultat të pastër 2-0 dhe duke konfirmuar formën e mirë që po kalon skuadra e Bylbyl Sokolit.
Pas një pjese të parë pa gola, drenicasit shpërthyen në fraksionin e dytë:
Udoyen Akpan (65’) zhbllokoi rezultatin, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Kreshnik Uka (68’) dyfishoi për fitoren e madhe të vendasve.
Me këtë triumf, Drenica ngjitet në vendin e katërt me 18 pikë, ndërsa Ballkani mbetet i dyti me 23 pikë.
Në ndeshjen tjetër të ditës, Llapi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në shtëpi ndaj Prishtinës së Re në “Zahir Pajaziti”.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Elvis Prençit (14’), ndërsa Arianit Hasani (51’) barazoi në pjesën e dytë për llapjanët.
Ky rezultat mban Llapin në zonën e mesit të tabelës, ndërsa Prishtina e Re vazhdon të luftojë për t’u larguar nga fundi i renditjes.
