February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

Kosova U20 triumfon sërish ndaj Katarit U20; Isufi: Kemi kualitet; Lojtarët: Përvojë e veçantë

Kombëtarja e Kosovës U20 e ka mbyllur me sukses serinë e dy ndeshjeve miqësore ndaj Katarit U20, duke regjistruar fitore edhe në takimin e dytë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Dardanët e rinj triumfuan me rezultat të pastër 3:0, duke konfirmuar formën dhe kualitetin e grupit nën drejtimin e përzgjedhësit Bekim Isufi.

Kosova kaloi në epërsi në minutën e 9-të me golin e Omer Bajraktarit, i cili shënoi sërish në minutën e 31-të për 2:0. Rezultatin përfundimtar e vulosi Rrezon Gashi, me gjuajtje me kokë, në minutën e 59-të, duke i dhënë Kosovës një fitore të pastër dhe një mbyllje të shkëlqyer të këtij grumbullimi.

Të dyja ndeshjet miqësore janë zhvilluar në kuadër të programit “UEFA Together”, që ka për synim të krijojë mundësi për federatat anëtare të UEFA-s të shkëmbejnë përvoja dhe të zhvillohen në aspektin sportiv.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi Bekim Isufi u shpreh i kënaqur me angazhimin dhe rezultatet e skuadrës:

“Ka qenë një përvojë shumë e mirë. I arritëm dy fitore dhe u dhamë rast të gjithë futbollistëve. Në përgjithësi jemi shumë të kënaqur me punën që kemi bërë këto ditë. Nga ky grumbullim pamë se kemi kualitet. Deri tash, kur nuk ka ekzistuar kombëtarja U20, këta futbollistë s’kanë pasur mundësi të luajnë. Ne do të mundohemi të organizojmë edhe ndonjë ndeshje tjetër miqësore, që të mos ndalemi”.

Futbollisti Gentian Dushaj e vlerësoi grumbullimin si përvojë të veçantë:

“Kam shumë qejf të luaj për Kombëtaren e Kosovës. Kemi marrë komente të mira këtë javë, jemi bërë bashkë, jemi bërë shokë. Stërvitjet kanë qenë shumë të mira dhe organizimi perfekt. Normalisht, synimi është të shkojmë më lart  ftesa nga U21 ose Kombëtarja A do të ishte një kënaqësi e madhe”.

Ndërsa Lorent Ademi theksoi rëndësinë e dy ndeshjeve të zhvilluara:

“Këto dy ndeshje kanë qenë shumë të mira sepse i fituam të dyja. Kemi mësuar nga njëri-tjetri, nga trajnerët dhe i gjithë stafi. Ushtrimet shkuan mirë dhe paraqitjet e ardhshme besoj se do të jenë edhe më të mira. Të gjithë e presim ftesën e radhës, sepse secili lojtar dha maksimumin”.

Edhe futbollistët e Katarit u shprehën të impresionuar me mikpritjen, organizimin dhe kushtet në Kosovë, duke theksuar se do të dëshironin të ktheheshin sërish në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *