February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

Drita e fiton derbin ndaj Llapit, Malisheva triumfon në Klinë, Drenica ndalet nga Prishtina e Re

Xhiroja e 12-të e AlbiMall Superligës së Kosovës është mbyllur me tri ndeshje plot emocione, ku në qendër të vëmendjes ishte derbi Drita – Llapi, që përfundoi me fitoren minimale të kampiones në fuqi, ndërsa fitore të rëndësishme shënoi edhe Malisheva në udhëtim, teksa Prishtina e Re ndali Drenicën me barazim pa gola.

Drita e rikthehet fitores në derbin ndaj Llapit

Drita ka arritur të marrë tri pikë me shumë peshë pas fitores 1:0 ndaj Llapit, duke e mbajtur ritmin në garën për titull. Heroi i gjilanasve ishte Besnik Krasniqi, i cili në minutën e 33-të realizoi me qetësi nga penalltia, duke e dërguar topin në rrjetë dhe stadiumin në festë. Edhe pse në pjesën e dytë Drita mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të vetë Krasniqit në minutën e 79-të, kampionia në fuqi e menaxhoi me përvojë epërsinë deri në fund. Kjo fitore vjen menjëherë pas humbjes në Skenderaj ndaj Drenicës, duke treguar karakterin e skuadrës së Zekirija Ramadanit, që mbetet e vendosur për t’u rikthyer në majë. Pas kësaj xhiroje, Drita renditet në vendin e tretë me 20 pikë, vetëm tri më pak se Ballkani, ndërsa lider mbetet Prishtina me 26 pikë. Për Llapin, kjo ishte një ndalesë pas dy fitoreve radhazi që e kishin ngjitur skuadrën në pjesën e sipërme të tabelës – tash me 16 pikë në vendin e pestë.

Malisheva triumfon ndaj Dukagjinit në Klinë

Në ndeshjen tjetër, Malisheva mori një fitore të madhe në udhëtim ndaj Dukagjinit, me rezultat 2:1, në stadiumin “18 Qershori”. Protagonist absolut ishte Etnik Brruti, i cili shënoi të dy golat për skuadrën e udhëhequr këtë herë nga Skender Ulluri, që debutoi me fitore pas largimit të trajnerit Qatip Osmani. Brruti realizoi në minutën e 21-të dhe 68-të, ndërsa për vendasit barazoi përkohësisht Altin Merlaku (35’). Malisheva mbeti me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq të Donart Vitijës (76’), por arriti të ruajë avantazhin deri në fund dhe të marrë tri pikë të mëdha.
Pas kësaj fitoreje, Malisheva ngjitet në vendin e gjashtë me 16 pikë, vetëm një më pak se Dukagjini që mban pozitën e katërt.

Prishtina e Re ndal Drenicën me barazim

Në përballjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Prishtina e Re dhe Drenica u ndanë pa fitues – 0:0. Ky ishte barazimi i parë për kryeqytetasit pas tri humbjeve radhazi, duke i dhënë fund serisë negative dhe një pikë që mund të shërbejë si ngritje morale në luftën për mbijetesë. Nga ana tjetër, Drenica nuk arriti të vazhdojë serinë pas fitores ndaj Dritës dhe tash ka 15 pikë në vendin e shtatë, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit me 8 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *