Dardanët U20 mbajnë stërvitjen e fundit para miqësores së parë me Katarin U20
Kombëtarja e Kosovës U20 ka zhvilluar sot seancën e tretë dhe njëherësh përmbyllëse stërvitore para ndeshjes së parë miqësore kundër Katarit U20, e cila do të luhet të dielën, në orën 13:00, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Djelmoshat e përzgjedhësit Bekim Isufi kanë shfaqur angazhim të lartë dhe atmosferë shumë pozitive gjatë gjithë përgatitjeve, duke reflektuar përkushtim dhe disiplinë në çdo detaj. Në stërvitjen e sotme, e cila ishte më shumë e orientuar në aspektin taktik, stafi teknik ka punuar me lojtarët në skemat e lojës dhe në mënyrën se si ekipi do të paraqitet përballë Katarit, një kundërshtar për të cilin përzgjedhësi ka theksuar se ekzistojnë pak informacione konkrete.
Një nga lojtarët që ka treguar entuziazëm të madh për këtë përfaqësim është Gentian Dushaj, futbollist i klubit zviceran St. Gallen, i cili theksoi se ky grumbullim ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Besoj jemi përgatitur shumë mirë, kemi pasur stërvitje shumë të mira. Jemi njohur shumë mirë me secilin lojtarë dhe besoj se do të bëjmë lojë të mirë. Jam shumë krenar me bartë fanellën e Kosovës dhe çdo herë kur marrë ftesë vij me zemër plot dhe dua të jap maksimumin. Nesër pres që ta fitojmë ndeshjen, pasi kemi kualitet, kemi teknikë dhe luajmë me zemër”, tha Dushaj.
Me optimizëm të ngjashëm u shpreh edhe portieri Arlind Qelaj, që luan për Eintracht Braunschweig në Gjermani, duke theksuar se pavarësisht mungesës së njohurisë për kundërshtarin, besimi në skuadër është i madh.
“Stërvitjet kanë shukuar shumë mirë, po e njohim njëri-tjetrin më mirë. Si portier kam besim tek bashkëlojtarët dhe pres ta fitojmë ndeshjen, edhe pse nuk e njohim kundërshtarin dhe nuk e dimë çfarë na pret në fushë. Shëpresoj të na prijë e mbara dhe t’i fitojmë këto dy ndeshje. Për mua është ndjenjë shumë e veçantë ta bartë fanellën e Kosovës dhe është ndjenjë e shkëlqyeshme për vendin ku janë rritur prindërit e tuaj”, tha Qelaj.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Aurel Limani, futbollist i Ramiz Sadikut, i cili theksoi harmoninë e krijuar në skuadër dhe motivin e lartë që mbizotëron te të gjithë lojtarët.
“Sot përfunduam stërvitjen e tretë dhe deri tash jemi shumë mirë si grup. Edhe futbollistët e Diasporës kanë arritur të ambientohen shumë mirë dhe besoj se jemi të gatshëm për miqësoren e parë me Katarin. Normalisht, si gjithmonë kur luan për Kosovën gjithmonë hyn për fitore. Kemi kualitet të madh ne që luajmë në kampionatin vendor, por edhe këta që na janë bashkangjitur nga Diaspora luajnë në liga të forta dhe prandaj jemi optimistë për fitore. Ndjenja për ta veshur fanellën e Kosovës është e papërshkrueshme, sepse e dimë që ky është shteti ynë, kemi lindur dhe rritur këtu, andaj edhe duam ta prezantojmë në mënyrën më të mirë”, tha Limani.
Ndeshja e së dielës do të jetë testi i parë për Kombëtaren U20, ndërsa miqësorja e dytë ndaj Katarit do të zhvillohet më 5 nëntor, po në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
