Ballkani triumfon bindshëm ndaj Malishevës në “Liman Gegaj”
Ballkani ka shënuar një fitore të thellë me rezultat 5:0 ndaj Malishevës, në ndeshjen e javës së 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës, e zhvilluar të martën në stadiumin “Liman Gegaj”.
Kampionët në fuqi dominuan ndeshjen nga fillimi deri në fund. Almir Kryeziu zhbllokoi rezultatin që në minutën e 7-të nga penalltia, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij para pushimit.
Në pjesën e dytë, skuadra e Ilir Dajës shpërtheu plotësisht. Bleart Tolaj realizoi dy gola të shpejtë, në minutat 47 dhe 61, duke e çuar rezultatin në 3:0. Më pas, braziliani Giovanni e shtoi epërsinë në minutën e 70, ndërsa fitoren e thellë e vulosi Valentin Serebe në minutën e 76.
Kjo ishte fitorja e gjashtë për Ballkanin në këtë edicion, krahas katër barazimeve dhe një humbjeje, që e mbajnë në vendin e dytë me 22 pikë.
Në anën tjetër, Malisheva pësoi disfatën e gjashtë, ndërsa ka edhe katër fitore dhe një barazim, duke qëndruar në pozitën e gjashtë me 13 pikë.
