Bayern e shton në listë yllin kosovar, interesim edhe nga Barcelona!
Gazetari i njohur gjerman i Sky Sport DE, Florian Plettenberg, ka bërë të ditur se FC Bayern Munich e ka përfshirë Fisnik Asllanin në listën e ngushtë të futbollistëve që po shqyrton si përforcim të mundshëm për sezonin 2026/27.
Sipas Plettenberg, gjiganti bavarez e sheh sulmuesin kosovar si zëvendësues potencial të Harry Kane në të ardhmen, pas performancave mbresëlënëse me Hoffenheimin në Bundesliga.
“Bayerni me Eberl dhe Freund janë të impresionuar nga zhvillimi dhe profili i Asllanit, dhe tashmë janë informuar për klauzolën e lirimit të tij para verës,” – ka shkruar Plettenberg në platformën “X”.
23-vjeçari pritet të largohet nga Hoffenheim pas përfundimit të këtij sezoni, ndërsa Barcelona dhe disa klube të tjera të mëdha evropiane po e ndjekin me kujdes situatën e tij.
Asllani ka qenë ndër lojtarët më premtues kosovarë në Bundesligë, duke tërhequr vëmendjen e klubeve elitare falë lojës së tij dinamike, teknikës së shkëlqyer dhe aftësisë për të shënuar gola vendimtarë.
