Igor Tudor nuk është më trajner i Juventusit, ja kush mund ta pasojë
Klubi italian Juventus ka njoftuar sot zyrtarisht largimin nga detyra të trajnerit kroat Igor Tudor, pas një serie të gjatë rezultatesh negative. Së bashku me Tudor-in është larguar edhe i gjithë stafi i tij teknik.
Në deklaratën zyrtare të klubit torinez thuhet se “bashkëpunimi me Igor Tudor dhe pjesën tjetër të stafit teknik ka përfunduar me efekt të menjëhershëm”, duke i uruar atyre “suksese në të ardhmen”.
Ky vendim vjen pas një periudhe shumë të dobët për “Zonjën e Vjetër”, e cila ka tetë ndeshje radhazi pa fitore në të gjitha garat dhe ka pësuar tri humbje njëra pas tjetrës, duke përfshirë disfatën e fundit ndaj Lazios.
Juventusi aktualisht renditet në vendin e tetë në Serie A dhe ndodhet në krizë forme e besimi, gjë që ka detyruar drejtuesit e klubit të veprojnë menjëherë për të rikthyer stabilitetin në skuadër.
Në ndeshjen e radhës kundër Udineses, ekipin do ta drejtojë Massimo Brambilla, trajneri i skuadrës “Juventus Next Gen”. Kjo është një zgjidhje e përkohshme, ndërsa klubi pritet të marrë kohën e nevojshme për të gjetur trajnerin e ri.
Sipas mediave italiane, emri i parë në listën e dëshirave të drejtuesve të Juves është Luciano Spalletti, ish-trajner i kombëtares së Italisë dhe kampion i Serie A me Napolin.
Një tjetër alternativë që po përmendet është Roberto Mancini, ndërsa në mediat ndërkombëtare kanë qarkulluar edhe emra si Edin Terzic, Xavi dhe Gareth Southgate.
Shkarkimi i Tudor shënon një tjetër kapitull të vështirë në sezonin e trazuar të Juventusit, që pas largimit të Allegri-t shpresonte të gjente stabilitet me ish-mbrojtësin kroat. Megjithatë, mungesa e rezultateve dhe presioni i madh nga tifozët dhe bordi drejtues detyruan klubin të ndërmarrë këtë hap të fortë.
