Barazim dramatik në Suharekë, Ballkani dhe Gjilani ndajnë pikët
Një ndeshje plot emocione dhe me finish dramatik është zhvilluar në Suharekë, ku Ballkani dhe Gjilani kanë barazuar 1:1 në kuadër të javës së 10-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 69-të me golin e Edi Bashës, i cili realizoi me prekjen e parë pas aktivizimit në lojë, pas një asisti të bukur nga Albin Prapashtica. Më herët, në minutën e 50-të, gjilanasve iu anulua një supergol i Prapashticës, pasi gjyqtari Egzon Dakaj, pas rishikimit në VAR, konstatoi faull të Sabit Bilallit në ndërtimin e aksionit.
Megjithatë, Ballkani nuk u dorëzua dhe në minutën e 90’+3, braziliani Giovanni Andre Pereira Manson Ribeiro barazoi me gjuajtje me kokë, 1:1.
Në minutat shtesë, skuadra vendase ishte shumë afër golit të fitores, por traversa i mohoi epërsinë, ndërsa në anën tjetër, portieri Artan Iljazi ndali goditjen e fuqishme të Armend Thaqit në sekondat e fundit.
