July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 4, 2024

Në shenjë përkujtimi: Beqir Aliu, atdhetar dhe kontribuues i madh i futbollit

2 min read

Shkrim nga presidenti i FFK-së Agim Ademi

Sot na la përgjithmonë njeriu i madh i futbollit, miku im Beqir Aliu. Lajmi për vdekjen e tij la të pikëlluar jo vetëm familjen e tij, por edhe miqtë e tij të shumtë dhe komunitetin e futbollit kosovar në përgjithësi. Megjithatë, vepra dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm për futbollin tonë do të mbesin të gjalla përjetësisht përmes shkronjave të arta të historisë sonë sa sakrifikuese, po aq të lavdishme.

Para rreth 32-vjetësh Beqa, si një intelektual e atdhetar i madh, u rreshtua në mesin e burrave dhe punëtorëve tjerë sportivë të guximshëm e vullnetmirë për themelimin e Federatës së Futbollit të Kosovës, në kushtet e okupimit të egër të Serbisë. Ky mision përveç guximit dhe vullnetit të madh për të punuar për të mirën e vendit, kërkonte edhe sakrificë financiare nga buxheti i familjes, e gjë të cilën Beqiri, bashkë me shumë donatorë tjerë nuk e vunë asnjëherë në dyshim.

Kësisoj, ata së bashku vendosen themelet e forta të FFK-së dhe rrugëtimit të futbollit tonë të pavarur, i cili bashkë me arsimin dhe shëndetësinë ishte një nga tri segmentet e shtetësisë së Kosovës në vitet e 90-ta.

Krahas kontributit të tij si kryetar i KF ‘Prishtina’ nga viti 1991 deri më 2001, Beqir Aliu me tërë intelektin, guximin dhe vizionin e tij la gjurmë të pashlyeshme edhe në kryesinë e parë të FFK-së.

Por, atdhedashuria e familjes Aliu nuk u limitua vetëm me kontributin në futboll, pasi vëllai i tij Bajrami, si një futbollist i spikatur, nuk ngurroi aspak që në kohën kur vendi kishte nevojë për trima e luftëtar, të rreshtohej përkrah ushtarëve tjerë të UÇK-së, duke luftuar deri në flijim për lirinë e bashkëkombësve të tij, derisa shtëpia e Beqës ishte shndërruar në spital ushtarak.

Në këtë ditë pikëllimi, dua të kujtoj me krenari tërë veprën e Beqir Aliut dhe familjes së tij, duke i dhënë mirënjohjen e merituar për gjithçka që i dhanë futbollit dhe atdheut tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi, e shpirti yt pushoftë në parajsë, miku im, Beqir Aliu!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *