FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Beqir Aliut

Federata e Futbollit e Kosovës ka ngushëlluar Familjen Aliu për ndarjen nga jeta e Beqir Aliut.
Aliu për shumë vjet ishte president i FC Prishtinës duke dhënë një kontribut të madh në ngritjen dhe organizimin e skuadrës pas përfundimit të luftës në vendin tonë.
Përveç kësaj, Beqir Aliu ishte njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj në periudhën e mëvetësimit të futbollit kosovar, si dhe pjesë e kryesisë së parë të FFK-së.
Njoftimi i FFK-së:
E nderuar Familje Aliu!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Beqir Aliu, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.
Beqir Aliu ishte njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj në periudhën e mëvetësimit të futbollit kosovar, si dhe pjesë e kryesisë së parë të FFK-së.
Ai mori përsipër drejtimin e KF Prishtina në periudhën më të vështirë për klubin dhe futbollin tonë në përgjithësi në vitin 1991, kur përfundimisht u bë ndarja nga futbolli i regjimit serbosllav, i cili kishte goditur me masa të dhunshme çdo lëmi të jetës në Kosovë.
Falë kontributit të tij dhe njerëzve tjerë si ai vullnetmirë e të guximshëm, futbolli i Kosovës vuri themelet e forta të qëndresës kundër pushtuesit dhe të mbijetimit edhe në rrethanat e tilla të vështira.
Beqir Aliu ishte personalitet me vlera të larta intelektuale e atdhetare, por edhe njeri i dashur për të gjithë si dhe donator i madh i sportit e në veçanti futbollit.
Vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin e futbollit në përgjithësi.
Vepra dhe kontributi i tij do të kujtohen gjithmonë nga komuniteti i futbollit dhe do të jetë udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!