Infantino: Nderimi nga Kosova më dha emocione të mëdha
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ishte në Kosovë për herë të dytë që nga marrja e postit si kreu i organizatës më të madhe të futbollit në botë. Gjatë kësaj vizite, ai u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një njohje kjo për përkushtimin e tij ndaj futbollit kosovar. Për kreun e FIFA-s kjo ishte vizita e tij e dytë, pasi herën e parë ishte më 29 shtator të vitit 2022, me ftesë të presidentit të FFK-së, Agim Ademi.
Infantino gjatë kësaj vizite dha edhe një intervistë ekskluzive për FFK Podcast:
“Ndjehem shumë mirë që jam rikthyer këtu në Kosovë. Është fantastike ky nderim, Medalja Presidenciale e Meritës nga presidentja, dhe personalisht ndjej shumë emocione sepse kam kaluar gjithë historinë e anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe pastaj në FIFA. Në kongresin tim të parë si president i FIFA-s, Kosova u pranua në familjen e FIFA-s dhe pata nderin të jem president i FIFA-s atëherë. Kështu që vitin tjetër kemi diçka më shumë për të festuar – 10 vjetorin e FFK-së në FIFA. Absolutisht një nder i madh dhe emocione të mëdha”, tha Infantino.
Ai vuri në pah zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe investimet e jashtëzakonshme të federatës: “Nëse shohim se si është zhvilluar futbolli i Kosovës nga anëtarësimi në FIFA, investimet që janë bërë nga federata për futbollin e femrave, për futbollin e meshkujve, ekipi sot është aq i fortë sa askush nuk dëshiron të vijë për të luajtur në Kosovë, sepse kanë frikë që do të humbin. Ekipi është i fortë, keni shumë tifozë në Kosovë dhe rreth saj, dhe këto janë shembuj për të rinjtë e një vendi të ri. Mund të shohim pasionin që vazhdon të rritet, ligën lokale, dhe të gjithë lojtarët me origjinë nga Kosova, ndoshta gjenerata e dytë ose e tretë e tyre dhe të gjithë duan të luajnë për Kosovën”, shtoi Infantino.
