Muriqi në FFK Podcast: Fitorja ndaj Suedisë një moment historik për futbollin e Kosovës
Kanë kaluar pothuajse 40 orë nga një prej ndeshjeve më të rëndësishme për futbollin e Kosovës vitet e fundit: Suedia – Kosovë (0:1), ndeshje në të cilën Dardanët arritën fitoren e dytë radhazi kundër këtij kundërshtari në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026, një emër i madh në futbollin botëror.
Në edicionin e tretë të podcastit të FFK-së, folinjë prej protagonistëve kryesorë të kësaj ndeshje, kapiteni i kombëtares, Vedat Muriqi.
“Jo, vallahi jo, emocionet nuk janë shuar ende”, tregon Muriqi. “Ishte një fitore madhështore, shumë më e madhe sesa shumica e njerëzve e prisnin. Pas lojës vjen euforia, gëzimi është i madh. Lodhja është e madhe, por në fund iu thua vetes gjithçka ja vlejti”, tha Muriqi.
Ai shton se shokët e skuadrës së Majorkës ishin befasuar dhe e komplimentuan për formën e kombëtares: “Më pyesnin për situatën, për mundësitë e kualifikimit, për kundërshtarët dhe më komplimentuan për fitoren ndaj Suedisë”, shtoi ai.
Muriqi shpjegoi rëndësinë e pikës së marrë ndaj Sllovenisë si bazë për fitoren ndaj Suedisë:
“Falë asaj pike, fitoreja ndaj Suedisë u bë më e vlefshme. Futbolli është i tillë: nëse nuk mund të fitosh, të paktën mos humb”, tha ai.
Ai thekson eksperiencën e skuadrës, por edhe përfshirjen e lojtarëve të rinj që kanë dhënë kontribut të madh: “Kemi një ekip të ri, me mentalitet jashtëzakonisht të fortë dhe shumë eufori. Të gjithë janë ushtarë në fushë”, shtoi tutje Muriqi.
