Ademi: Licenca UEFA Pro po vjen, një hap i rëndësishëm për futbollin kosovar
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një lajm të madh për trajnerët dhe për futbollin kosovar, duke njoftuar fillimin e përgatitjeve për Licencën UEFA Pro.
“Pas përfundimit me sukses të cikleve të edukimit për Licencat UEFA C, B dhe A, tashmë kemi filluar përgatitjet për nivelin më të lartë të edukimit, Licencën UEFA Pro! Në këtë drejtim, Departamenti Teknik i FFK-së, në bashkëpunim të ngushtë me instruktorin e UEFA-s, Frank Wormuth, kanë nisur përgatitjet për ndërtimin e strukturës së kursit, përmbajtjen e moduleve teorike e praktike dhe standardet që do të ndiqen”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
Ai shtoi se në 10-vjetorin e anëtarësimit në UEFA e FIFA, FFK do të fillojë me organizimin e kurseve të Licencës UEFA Pro, një arritje e jashtëzakonshme për futbollin kosovar, e që po realizohet në afat rekord.
“Kjo është një tjetër dëshmi se jemi në rrugën e duhur dhe tregues i qartë i zhvillimit profesional që kemi ndërtuar si FFK, por edhe punës dhe përkushtimit të trajnerëve tanë. Kursi i Licencës UEFA Pro pritet të fillojë në vitin 2026 dhe padyshim shënon një hap të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar”, nënvizoi Ademi.
