February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

Debatik Curri emërohet trajner i ri i Gjilanit

Skuadra e Gjilanit ka prezantuar të premten trajnerin e ri, Debatik Currin, i cili do ta drejtojë ekipin deri në fund të këtij sezoni.

Ish-mbrojtësi i njohur i Kombëtares shqiptare vjen në stolin e kuqebardhëve pas largimit të Ardian Nuhiut, me të cilin klubi kishte ndërprerë bashkëpunimin më 29 shtator, pas rezultateve të dobëta.

Nën drejtimin e Nuhiut, Gjilani kishte realizuar katër humbje, dy fitore dhe një barazim në shtatë xhirot e para, duke grumbulluar shtatë pikë dhe duke u renditur në vendin e shtatë.

Në derbin e fundit të qytetit, ku Gjilani u mposht 2:1 nga Drita, skuadrën e kishte udhëhequr trajneri Orhan Abdi.

“Së pari dua të falënderoj drejtuesit klubit për besimin e dhënë për ta drejtuar një skuadër të madhe siç është Gjilani dhe me një tifozeri ndër më të zjarrtat në Kosovë”, deklaroi Curri.

Debatik Curri rikthehet në Superligë pas gati një viti pauzë, pasi herën e fundit kishte qenë në krye të Prishtinës, nga e cila ishte larguar më 26 tetor 2023 me marrëveshje të dyanshme.

Gjatë periudhës së tij në kryeqytet, Curri arriti ta udhëheqë Prishtinën drejt triumfit në Kupën e Kosovës, ndërsa në 27 ndeshje zyrtare kishte regjistruar 11 fitore, 11 barazime dhe 5 humbje.

Edhe ndarja me Prishtinën kishte ardhur për shkak të rezultateve nën pritshmëri.

Si futbollist, 41-vjeçari ka pasur një karrierë të pasur ndërkombëtare. Ai ka luajtur për Prishtinën, Vorskla Poltava, Gençlerbirliği, Hoverla Uzhhorod, Sevastopol, Tiranën dhe Flamurtarin, ndërsa me Kombëtaren e Shqipërisë ka zhvilluar 44 ndeshje dhe ka shënuar një gol.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *