February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

Ademi kujton Agim Bytyqin në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta: Vizioni dhe vendosmëria e tij do të mbeten përherë udhërrëfyes për brezat

Sot janë bërë pesë vjet që nga ndarja nga jeta e njeriut që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit të Kosovës, kryetarit të parë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Bytyqi.

Me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka shprehur përmes një postimi në rrjetet sociale respektin dhe mirënjohjen e tij të thellë për figurën e Agim Bytyqit, duke e cilësuar atë si një nga themeluesit e rrugëtimit të futbollit të pavarur të Kosovës.

“Emri i tij do të mbetet përgjithmonë i lidhur me kohën e vështirë të fillimeve tona, me guximin për të ndërtuar institucionin e futbollit në rrethana okupimi, kur çdo hap kërkonte përkushtim, vizion dhe sakrificë”, ka shkruar Ademi.

Sipas tij, Bytyqi dhe bashkëpunëtorët e tij krijuan themelet mbi të cilat sot qëndron me dinjitet e përgjegjësi FFK-ja moderne, që përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe i jep kuptim ëndrrës së shumë gjeneratave.

“Agim Bytyqi ishte njeri i urtë, vizionar dhe guximtar, që me vepra tregoi se futbolli mund të jetë edhe mjet rezistence, por edhe shpresë për të ardhmen. Kujtimi për të nuk lidhet vetëm me historinë, por me frymën e tij punëtore, idealin për liri dhe dashurinë e madhe për futbollin e vendin”, theksoi Ademi.

Në fund, presidenti i FFK-së ka shtuar se vizioni dhe vendosmëria e Bytyqit do të mbeten përherë udhërrëfyes për brezat që do të vazhdojnë ta ndërtojnë historinë e futbollit të Kosovës.

“I përhershëm kujtimi për Ty, miku im”, përmbylli presidenti Agim Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *