Muriq: Pres fitore ndaj Sllovenisë, jemi zhvilluar shumë si ekip
Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ka deklaruar se pret fitore ndaj Sllovenisë në përballjen e së premtes në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Në konferencën për media, portieri i Sassuolos u shpreh optimist për rezultat pozitiv, duke theksuar përparimin e ekipit gjatë viteve të fundit.
“Jam shumë i lumtur me formën time. Nesër pres fitore. Ne si ekip do të bëjmë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje”, tha Muriq.
Ai kujtoi se Kosova dhe Sllovenia ishin përballur edhe në vitin 2020, por shtoi se sot skuadra është më e zhvilluar.
“Nëse kthehemi në kohë, shihet që jemi zhvilluar shumë. Kemi lojtarë që luajnë në liga më të forta dhe në formë më të mirë fizike. Nesër kemi rastin ideal për ta treguar këtë progres”, shtoi ai.
Portieri 25-vjeçar vlerësoi edhe bashkëlojtarët e tij në mbrojtje.
“Gjithmonë jam ndier i sigurt me lojtarët që luajnë para meje. Ndonjëherë varet prej ditës dhe formës, por gjithmonë e vlerësoj punën që ata bëjnë në fushë”, u shpreh Muriq.
Ai falënderoi publikun për mbështetjen e vazhdueshme.
“Përkrahja e ‘Dardanëve’ na jep energji shtesë. Kështu ka qenë gjithmonë kur kemi luajtur në shtëpi”, theksoi ai.
Në lidhje me përballjen me portierin e Sllovenisë, Jan Oblak, Muriq tha:
“Oblak është një nga më të mirët në botë, një legjendë. Por shpresoj që nesër të arrijmë ta mposhtim dhe ta fitojmë ndeshjen. Për mua kjo është më e rëndësishmja”.
