Zulfiji ‘Ylli i Javës’; Luajmë pa eufori, synojmë Evropën
Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar
Për javën e gjashtë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të KF Dukagjinit, Iljasa Zulfiji, i cili hyri në ndeshje si zëvendësues dhe shënoi golin e epërsisë për skuadrën e tij, duke ndikuar shumë në ngritjen dhe organizimin e lojës. Në fund, skuadra nga Klina shënoi fitore kundër KF Llapit, me rezultat 3:1.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga: Skender Kapra, Luan Tabaku dhe Murat Zejnullahu.
Pasi mori këtë çmim, Zulfiji u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Ndeshja e ditës së djeshme ishte shumë e rëndësishme për ne. Gjithë javën jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe arritëm të marrim tre pikët. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm, siç kemi qenë deri më tani. Qëllimet e KF Dukagjinit janë që t’i marrim secilën ndeshje një nga një, pa eufori, dhe të synojmë daljen në Evropë. Shpresoj që ta arrijmë këtë sukses. Falënderoj stafin e trajnerëve dhe bashkëlojtarët, sepse pa ndihmën e tyre nuk do të isha sot këtu. Uroj të vazhdojmë kështu drejt sukseseve”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
