Prishtina mposht Prishtinën e Re dhe kthehet në krye të Superligës
Prishtina ka siguruar një fitore të rëndësishme 2:0 ndaj Prishtinës së Re të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”. Golat për bardhekaltrit i shënuan Mario Ilievski në minutën e 17-të dhe Blend Baftiu në minutën e 68-të.
Për trajnerin e Prishtinës së Re, Shpëtim Babaj, debutimi në Superligë përfundoi me humbje. Loja e skuadrës së re u vështirësua edhe më shumë pas minutës së 52-të, kur qendërmbrojtësi Adrijan Rudaj u përjashtua pas një ndërhyrjeje të ashpër dhe pas rishikimit të situatës në VAR.
Me këtë fitore, Prishtina e trajnerit Arsim Thaqi rikthehet në vendin e parë në tabelë, falë diferencës më të mirë të golave krahasuar me Dukagjinin e Klinës. Tabela e Superligës momentalisht tregon: Prishtina dhe Dukagjini kanë nga 13 pikë, një më shumë se Ballkani, ndërsa Drenica renditet e katërta me 11 pikë.
