Mbappe ndryshon numrin në fanellë te Reali, do të veshë të njëjtin numër si në ekipin kombëtar 

Kylian Mbappe së shpejti mund të mbajë të njëjtin numër fanelle si te Real Madrid ashtu edhe me kombëtaren e Francës: numrin legjendar 10.

Sipas gazetës spanjolle Marca, Real Madrid planifikon t’ia besojë këtë numër ikonik yllit francez kur Luka Modric të largohet zyrtarisht nga klubi, pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube.

Mbappe mbërriti në Madrid verën e kaluar dhe mori fanellën me numrin 9, të liruar pas largimit të Karim Benzemas. Në sezonin e tij të parë me Los Blancos, ai shkëlqeu me 43 gola, duke fituar trofeun Pichichi për golashënuesin më të mirë në La Liga dhe Këpucën e Artë si golashënuesi më i mirë në Evropë.

Edhe pse vetë Mbappe nuk ka kërkuar të ndryshojë numrin, klubi e sheh këtë si një hap të natyrshëm. Numri 10 shihet si simbol i fillimit të një epoke të re, ku ish-ylli i PSG-së do të marrë rolin e liderit të skuadrës dhe figurës kryesore të imazhit të Realit.

Në tri dekadat e fundit, fanella me numrin 10 te Real Madrid është mbajtur vetëm nga disa lojtarë të veçantë, me Luka Modric që e ka veshur me krenari për tetë vite.

“Reali sheh një mundësi për të forcuar imazhin e Mbappe-s në çdo kuptim”, shkruan Marca.

Mbappe ka histori me këtë numër: ai e mbante atë te Monaco dhe e mban edhe në kombëtaren franceze. Te PSG mbante më shpesh numrin 7, por ky numër aktualisht i takon Vinicius Junior, i cili duket i vendosur ta mbajë atë.

Ndryshimi i numrit pritet të ndodhë vetëm pas largimit të Modric në fund të qeshorit, kur Mbappe do të bëhet lojtari i dhjetë në 30 vitet e fundit që ka veshur fanellën legjendare me numrin 10 të Real Madridit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *