Ja çfarë thotë FFK-ja për rastin e Agon Sadikut

Vendimi i Agon Sadikut për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Finlandës e ka befasuar Federatën e Futbollit të Kosovës. Sulmuesi 19-vjeçar ishte grumbulluar me Kosovën në nëntor të vitit të kaluar dhe kishte luajtur në miqësoret ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe. Për më tepër, ishte startues në të dyja ndeshjet.
Por në fund të dhjetorit Sadiku vendosi ta pranojë ftesën e Finlandës për një kamp që tani është duke u mbajtur në Portugali. Ai pritet të debutojë të hënën te Përfaqësuesja seniore e Finlandës. Në kamp janë ftuar lojtarë që janë kandidatë për vend te Finlanda.
Sadiku ishte kandidat edhe për vend te Kosova për të ardhmen.
“Përkundër moshës e përvojës së vogël në nivel seniorësh, ne i kemi besuar dhe e kemi ftuar te ekipi i parë”, thuhet në një përgjigje me shkrim të FFK-së për KOHËN.
Sadiku është i lindur në Finlandë, por ka prejardhje nga Kosova. Ai ka luajtur për U17, U19, U20 e U21 të Finlandës nga viti 2020 e deri në vitin 2022. Ndërkohë në vjeshtë pranoi ftesën e Kosovës dhe dukej që kishte vendosur t’i përfaqësonte “Dardanët” në nivelin senior. Por tashmë po stërvitet me Finlandën.
Selektori i Finlandës, Markku Kanerva, ka folur së pari për dokumentacionin e Sadikut, përkatësisht për ndërrimin e papërfunduar të përfaqësueses nga ana e tij. Dhe më pas ka pasur akuza ndaj FFK-së për trajtim jo të duhur të çështjes së këtij lojtari.
“Dokumentet atje nuk u trajtuan si do të duhej të trajtoheshin. Agoni ka ende një shans për ta përfaqësuar Finlandën. Tani kemi një shans për ta bërë këtë. Ne do të kujdesemi për dokumentacionin dhe këto janë dy ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Është interesant ta shohim Agonin në radhët tona”, ka thënë Kanerva për sajtin zyrtar të Federatës finlandeze.
Por në FFK mohojnë të kenë bërë ndonjë lëshim sa i takon dokumentacionit. Në fakt, lojtari e humb të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses kur luan ndeshje zyrtare për një përfaqësuese seniore, jo ndeshje kualifikuese.
“Gjatë kampit kemi pasur takim me Agonin, përzgjedhësi, stafi teknik, drejtori dhe menaxheri. Dhe të gjithë ia kemi shpjeguar në detaje që e shohim pjesë të rëndësishme të Kombëtares sonë dhe se dëshirojmë ta kemi në ekip për kohë të gjatë. Ne atë takim lojtari ka shprehur dëshirën për të vazhduar me Kosovën. Është e pakuptimtë të thuhet që FFK-ja nuk ka bërë ndërrimin e Kombëtares në mënyrën e duhur, për disa arsye. Ndeshjet e nëntorit kanë qenë miqësore dhe kjo është arsyeja pse Agoni ka mundur të luajë menjëherë me ne. Kurse në takimin që kemi pasur me të, jemi dakorduar që të presim sinjalin definitiv të tij për t’i filluar procedurat për ta pajisur me pasaportë të Kosovës, e pastaj ta procedojmë lëndën në FIFA. Pas kampit kemi pasur kontakt edhe me agjentin e tij dhe ia kemi shpjeguar gjithë këto procedura dhe ka mbetur që ata të marrin vendimin definitiv dhe të fillojnë procedurat. Kurse në fund të dhjetorit pa asnjë paralajmërim nga futbollisti kemi parë që ai i është bashkuar sërish Finlandës”, shkruan tutje në përgjigjen e FFK-së.
Finlanda të hënën luan me Suedinë, ndërsa më 12 janar me Estoninë. Edhe pas këtyre dy ndeshjeve, Sadiku mund të vendosë për Kosovën, nëse këtë e dëshiron.
“Patjetër që ai ishte pjesë e planeve të Kosovës për të ardhmen dhe këtë ia ka komunikuar shumë haptazi edhe përzgjedhësi Giresse dhe zyrtarët e Federatës”, arsyetohet FFK-ja.
Vetë Agon Sadiku nuk ishte bindur se është në planet e Kosovës, ndërsa ka lënë të kuptohet se të ardhmen e sheh te Finlanda. Ai është shprehur i lumtur për rastin që të grumbullohet me Finlandën në Portugali.
“Po, është gjë e madhe për mua. Prej se kam qenë i vogël, në kampet regjionale, na është thënë se jemi aty pasi mund të bëhemi lojtarë të Finlandës në të ardhmen. Dhe tani që ka ndodhur kjo, do të thotë shumë për mua”, ka thënë Sadiku për sajtin zyrtar të Federatës finlandeze.
Sipas Federatës finlandeze, Sadiku ka shtetësi të Kosovës. Kjo federatë shkruan se e drejta për të luajtur për përfaqësuese nuk është ndërruar asnjëherë te Kosova.
“Ishte e vështirë kur është dashur të mendoj se a dua ta përfaqësoj Finlandën apo Kosovën. Kam folur me trajnerin e Kosovës dhe me trajnerin e Finlandës për planet e tyre për të ardhmen time. Kam vendosur t’i besoj Kanervas. Mendoj që ai ka plan të qartë dhe të mirë për mua dhe për të ardhmen time”, ka thënë Sadiku.
Sadiku ka shpërthyer te skuadra finlandeze Honka vitin e kaluar. Dhe tani shpreson të shpërthejë te Finlanda, jo te Kosova.
Përvoja te Kosova natyrisht i ka shërbyer për të rritur presionin për ftesë nga Finlanda. Kjo nuk është diçka e re. Dhe Sadiku bëhet lojtari i radhës që largohet nga Kosova./Koha.net/