Albina Rrahmani pas kualifikimit në Ligën A: Krenare për vajzat dardane

Pas një paraqitjeje madhështore në fazën e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2025, Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave siguroi kalimin në Ligën A, duke i fituar të tri ndeshjet ndaj Maltës (6:0), Kazakistanit (2:1) dhe Letonisë (4:0). Në qendër të këtij suksesi qëndron puna e palodhur e stafit dhe përkushtimi shembullor i vajzave, që u theksua në mënyrë të veçantë nga përzgjedhësja Albina Rrahmani pas ndeshjes së fundit.
“Shumë të lumtur për promovimin në Ligën A dhe jashtëzakonisht krenarë si staf për performancën e vajzave!”, deklaroi Rrahmani me emocion pas fitores së sotme me Letoninë, për faqen e FFK-së, duke vënë theksin te rrugëtimi i jashtëzakonshëm i kombëtares në këtë fazë të garave.
Ajo potencoi se suksesi nuk ka ardhur rastësisht, por si rezultat i përgatitjeve intensive dhe përkushtimit gjatë kampit dhe ndeshjeve:
“Puna që kanë bërë për të ardhur deri këtu, përkushtimi gjatë kampit dhe në ndeshje ka qenë shembullor – secila ka dhënë maksimumin, duke na çuar drejt suksesit”, shtoi ajo.
Rrahmani nënvizoi se suksesi i arritur është vetëm një hap drejt objektivave më të mëdha, me përgatitjet që do të rifillojnë së shpejti për një gjeneratë të re futbollistesh, pasi këto ndeshje ishin të fundit për lojtaret e lindura më 2006:
“Tani presim shortin, i cili zakonisht mbahet në fillim të qershorit, dhe menjëherë fillojmë përgatitjet nga e para me një gjeneratë të re”, nënvizoi ajo.
Në fund, përzgjedhësja e Kosovës U19 vlerësoi rëndësinë që ka kjo ngritje në Ligën A për zhvillimin individual të futbollisteve:
“Kalimi në Ligën A dhe përballja me ekipet që na presin atje është gjithmonë sfiduese, por kjo është një përvojë e jashtëzakonshme për zhvillimin e lojtareve tona dhe i ndihmon ato të jenë të gatshme për hapin e radhës – Kombëtaren A”, tha Albina Rrahmani.