Spektakël në borë – Liria dhe Drenica ndahen pa fitues në derbin e Ligës së Parë
Derbi i javës së 21-të në Raiffeisen Ligën e Parë të Kosovës ndërmjet Lirisë dhe Drenicës përfundoi pa fitues, por me spektakël të vërtetë në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Të dyja skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë pas barazimit 2:2, në një nga ndeshjet më emocionuese të këtij edicioni.
Përballja nisi me ritëm të lartë dhe shumë grintë nga të dyja palët. Skuadra nga Skenderaj kaloi e para në epërsi me golin e Kreshnik Ukës, duke vendosur presion mbi vendasit.
Megjithatë, Liria reagoi fuqishëm dhe fillimisht barazoi përmes Egzon Qerimit, e më pas kaloi edhe në epërsi në pjesën e dytë me golin e Uetuuru Kambatos.
Drenica nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë, kur Kreshnik Uka realizoi golin e dytë personal, këtë herë nga penalltia, duke i siguruar një pikë skuadrës kuqezi.
Pjesa e dytë e ndeshjes u zhvillua në kushte jashtëzakonisht të vështira për shkak të reshjeve të mëdha të borës – një skenë mjaft e pazakontë për muajin prill.
Pavarësisht motit të keq, të dyja skuadrat dhuruan një ndeshje të nivelit të lartë, që pa dyshim mund të cilësohet si më e mira e këtij sezoni në Ligën e Parë, e ndoshta edhe në rangun e Superligës.
Pas këtij barazimi Drenica vazhdon të kryesojë me 42 pikë. Megjithatë, këtë barazim e shfrytëzoi Trepça’89 që shënoi fitore ndaj Mitrovicës, 2:1, duke arritur tashmë në kuotën e 40 pikëve, në pozitën e dytë, e Liria zbret në pozitën e katërt, me 37 pikë, sa ka edhe Vëllaznimi, në pozitën e tretë, që po ashtu barazoi 2:2 me Istogun.
