Ademi për çështjen Hodaj: Nuk ishte organ i FFK-së; Askund në botë largimi i avokatit të Federatës nuk bëhet temë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në intervistën e tij në emisionin “A Play” në ATV, e ka komentuar edhe çështjen e avokatit Taulant Hodaj, i cili njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me FFK-në dhe paralajmëroi se Kosova mund ta humbë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë për ndeshjen e ndërprerë Rumani-Kosovë, për siç tha mungesës së profesionalizmit.
Ademi tha se nuk e kupton arsyen e kësaj letre nga Hodaj, teksa tha se ai nuk ka qenë organ i FFK-së, por një bashkëpunëtor i jashtëm në kuadër të disa shtëpive juridike me të cilat federata ka marrëveshje.
“Nuk e di çfarë ka dashur të thotë me atë letër. Ai e ka bërë këtë lëndë (lëndën për ndeshjen me Rumaninë në CAS). Ne kemi disa shtëpi juridike me të cilat kemi marrëveshje. Nuk është vetëm Hodaj, por edhe dy-tre të tjera. A keni dëgjuar diku në botë që kur një avokat i një federate largohet dhe bëhet bujë? Ai nuk është organ i federatës. Është një avokat dhe djal shumë i mirë. E kemi pasur një marrëveshje, ka qenë partner i jashtëm. Nuk ka qenë organ i federatës, ka qenë ushtrues detyre i sekretarit për dia muaj, por nuk ka qëndruar për shkak të arsyeve të tij. Ka qëndruar si avokati dhe na ka përfqësuar në çështje juridike. Po them edhe një herë është djal i mirë dhe avokat i mirë, por nuk është organ i FFK-së. Nuk është për t’u bërë temë kjo”, u shpreh Ademi.
Ademi pranoi se ndoshta i ka dhënë fuqi vetë sepse e kam marrë me vete kudo dhe e ka bërë edhe shok.
“Por tani që është ndërprerë bashkëpunimi, nuk e kam kuptuar letrën e tij. Në një moment më doli sikur të ishte themelues i federatës, duke shkruar e kam bërë këtë e kam bërë atë”, tha Ademi, duke rikujtuar se politikat e Federatës i bën kryetari me Komitetin Ekzekutiv, bashkërisht me miratimin e Kuvendit.
Sa i përket deklaratës së Hodajt që Kosova mund ta humbasë rastin në Lozanë, presidenti i FFK-së tha: “I dëshiroj sukses në pjesën tjetër. Për atë që ka thënë se do të humb lënda, ndoshta ai ia ka ndi erën që humb kjo lëndë e s’ka dashur të jetë pjesë e saj, sepse e kam dëgjuar vazhdimisht duke thënë se nuk e kam humbur asnjë lëndë. Por kemi ende shumë lëndë e s’dihet çfarë bëhet me to, por realisht s’duhet të bëhet temë kjo sepse ai është vetëm një avokat. Federata bën pa mua e pa secilin, e lëre më pa njerëz që nuk janë organ i federatës”.
