February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 14, 2026

Ademi: Fanella e Kosovës peshon rëndë, kush nuk e ndjen mos ta veshë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka komentuar largimin e mbrojtësit Etnik Brruti drejt Kombëtares së Shqipërisë, duke theksuar se raste të tilla nuk janë të reja për Kosovën.

“Nuk ka ndodhur për herë të parë, sepse lojtarët e Kosovës kanë qenë bartës të sukseseve të Kombëtares së Shqipërisë. Edhe Kombëtarja e vajzave të Shqipërisë është ndërtuar me futbollistet e Kosovës. Gjeneratë pas gjenerate, ata kanë dhënë kontributin e tyre”, tha Ademi.

Ai kujtoi se, për shumë vite, kur Kosova nuk ishte e pranuar në arenën ndërkombëtare, vetë FFK kishte adresuar lojtarët që të luanin për Shqipërinë. Megjithatë, sipas tij, rasti i Brrutit është i ndryshëm, pasi lojtari ishte pjesë e Kosovës deri vonë dhe u largua pa paralajmërim. Ai shpreh keqardhje që kjo po ndodh me lojtarët që rriten e zhvillohen në Kosovë.

“Njësoj ka ndodh me Ardian Ismajlin. Ai ka qenë i ftuar në ekipin A. Ismajli ka shkuar nga përgatitjet në Emerald, ku ka folur me trajnerin dhe me çantë në krah ka shkuar në Shqipëri. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Brruti. Ka qenë në janar në grumbullimin me Fodën. Edhe e ka pasur ftesën tash, pa asnjë paralajmërim, pasi i ka kryer të gjitha, ka treguar. Kur shkon për çështje tua personale mos e përzijë patriotizmin. Thuaj e kam pasur interesin personal”, tha Ademi në emisionin ‘A Play’ në ATV.

Ai ka thënë se futbollistët tanë e kanë gjetur një pikë atje që pasaporta e Shqipërisë ua mundëson të luajnë si lojtarë vendor në Itali për shkak të marrëveshjes ndërmjet dy shteteve që shtetasit e Shqipërisë nuk i llogarit si të huaj, derisa me pasaportë shqiptare mund të shkohet edhe në Rusi.

“Tani u hap një treg edhe në Rusi nga menaxherët, sepse nuk i shkon kërkush nga Evropa atje sepse Rusia është nën sanksione dhe merr lojtarë nga vendet e rajonit. Pra, mos hajde në Kosovë pra, shko drejt në Shqipëri dhe s’ka asnjë problem. Edhe Shqipëria le të merr lojtarë por jo te na sepse ne po i rrisim e po i zhvillojmë dhe kur t’i po llogarit në të, po të ik”, tha Ademi.

Ai ka thënë se Kosovës i duhen lojtarë që e duan atë. “Neve na intereson ai që e don Kosovën me zemër, që e ndjen sepse fanella e Kosovës peshon shumë rëndë. Këta duhet ta dijnë të gjithë. Në atë fanellë të Kosovës, çdo vijë e çdo pe e ka një histori të Kosovës. Këtë duhet kuptuar. Nëse ky jep shembullin e tillë që është rritur në Kosovë dhe është zhvilluar këtu, atëherë cili është mesazhi që mund t’ua japim lojtarëve që kanë lindur në Zvicër, Gjermani, Suedi apo kudo, që e kanë ndoshta edhe nënën e nacionalitetit tjetër, por baballarët e tyre i rrisin në frymën e Kosovës, duke i thënë se rrënjët i ke në Kosovë dhe ata vijnë e luajnë në këtë fanellë. Cila është logjika kur ai vjen prej atij lluksi, e ti del prej Kosovës dhe ik”, shtoi ai.

Ademi ka thënë se FFK nuk e përdor atë pjesën e ‘djegies’ së futbollistëve.

“Në kombëtare nuk ka djegie. Kombëtarja nuk është klub. Nuk është trampolinë për të shkuar diku tjetër. E fundit është dëshira e lojtarit dhe nuk kemi dëshirë me i pengu ata që se duan fanellën e Kosovës. Ku t’ja merr mendja le të shkon. Por ajo që duhet të thuhet është se nuk ka këtu keqmenaxhim, që po i dëgjoj duke thënë. Nuk ka kushte tjera asnjë federatë. Nuk ka asnjë lojtar që s’flasim e se përcjellim. Por, pazar nuk bëhet me kombëtare e me njerëz”, tha Ademi.

Ai ka rikujtuar se me FSHF-në kanë një marrëveshje për të mos e dëmtuar njëra tjetrën që nga 2015-ta, por ka thënë se Federata Shqiptare e ka vendim që çdo shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë që e ka kapacitetin dhe dëshiron ta përfaqësojë Kombëtaren e Shqipërisë i ka duart e hapura. Sipas tij edhe Kushtetuta e Shqipërisë e ka që çdo shqiptar brenda ose jashtë ka të drejtë me marr nënshtetësinë e Shqipërisë. Këto janë rregulla dhe sipas tij në bazë të kësaj nuk mund t’ia mohosh askujt.

“Ne i kemi marrëdhëniet aq të mira, sa kur e shoh unë një lutje që ata na e dërgojne neve, e kur bëjnë kërkesë futbollistët tanë që të ma mundësoni të jem anëtar i Kombëtares së Shqipërisë, arsyet i jep qe e dua flamurin etj. Pra, kur e ke një shkrim e një lutje – kërkesë, që ta vendos dikush përpara, çfarë mund të thuash. Por, duke pasur parasysh se Kosova është shtet i ri edhe Shqipëria duhet të ketë kujdesin si shtet që të na ndihmojë, që Kosova të prezantohet sa më mirë”, tha Ademi.

Ai ka rikujtuar edhe takimin në vitin 2016 bashkë me ish-presidentin Fadil Vokrri ku ka qenë i pranishëm edhe Armand Duka tek presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Bamir Topi, teksa i ka cituar fjalët e Topit. ”Kosova jo futbollistët e vet, por edhe cilindo sportistë dhe çkado që të jetë ai njeri që i plotëson kushtet dhe i ndihmon Kosovës në çdo aspekt mu prezantu sa më mirë ne duhet t’i ndihmojmë. Sepse duhet të arsyetojmë edhe luftën, edhe miqtë që na kanë ndihmuar me këto të arritura në të gjitha drejtimet të Kosovës”, ka cituar Ademi fjalët e Bamir Topit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *